NUMĖR 61
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
KULTURË
MARKETING
KONTAKT
DOSJE
ARKIVI
 
 
20 vjet nga vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka është një datë e trishtë në historinë e shqiptarëve.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Skelet për tri i biografi

Jusuf Gërvalla u lind më 1 tetor 1945 në Dubovik, komuna e Deçanit.
Shkollën fillore e mbaroi në Prapaçan.
Kur kishte vetëm 6 vjet i vdiq i ati.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
E tëra dukej si pas një ekzekutimi

Vrasës të panjohur i vranë në afërsi të Heilbronnit tre jugosllavë. Për autoritetet shtetërore gjermane kjo masakër është kulminacion i ri në luftën e fshehtë,

PËR MË SHUMË >>>
DOSJE VITI IV - JANAR 2002

Anatomia e një atentati

Shembuj që duhet kujtuar

Shqiptar OSEKU

Sikur populli shqiptar ta kish një histori të mirëfilltë shkencore, e që mjerisht ende s'e ka, disa kapituj të trashë do t'i kushtoheshin patjetër lëvizjes nëntokësore të rezistencës matanë kufinjve të Shqipërisë administrative. Do t'ishte fjala, pa dyshim, për një rrëfim jashtëzakonisht interesant, për shqiptarë e për të huaj. Ajo do të nxirrte në shesh përvojat komplekse të një populli "të ndaluar" në rrafshin e mosbindjes qytetare dhe rezistencës së armatosur ndaj okupimit, përvoja këto që janë edhe sot aktuale në shumë anë.



Cilat ishin motivet e atyre që u angazhuan në ilegale? Ç'i shtynte ata që kryeneçësisht, pa asnjë shans ushtarak e pa asnjë shembull të mbarë lokal (madje përkundrazi), ta sfidojnë pareshtur një okupim ushtarak, administrativ, socioekonomik e kulturor ndër më të jetëgjatët e më brutalët në kontinentin e Evropës? E ç'i shtynte të tjerë, nga ambient i njëjtë e me prapavijë të ngjashme, të zgjedhin tjetër rrugë, të bëhen neutralë a administrues të zellshëm të okupimit?

Këto dhe shumë pyetje tjera interesante mbeten ende, mjerisht, pa një përgjegje të përmbledhur. Megjithatë, copëra fragmentare por domethënëse të përgjegjes ofron jetëshkrimi i personave që janë bërë të njohur, shumica post mortem, si ikona të rezistencës.

Jusuf Gërvalla, albanolog, poet e publicist, vëllai i tij Bardhosh Gërvalla, punonjës social me diplomë universitare të anglishtes, dhe shoku i tyre i armëve Kadri Zeka, gazetar, bëjnë pjesë në heronjtë e ilegales nga fundi i Luftës së Ftohtë, që mbaruan tragjikisht vetëm 10 vjet para ndërrimeve dramatike në kontinentin Evropës. Ata lindën e vepruan në një epokë të errët, duke i ndjekur pa kompromis idetë e veta për çlirimin e një populli që shtypej në rrethin e nëntë të ferrit evrolindor, mes çekanit komunist e kudhrës nacionaliste. Fundi i tyre, të mbytur gjak në terrin e një nate të ftohtë e të varrosur në dhe të huaj, ish komponuar enkas për t'ua kujtuar shqiptarëve në mënyrë diskrete kumtin makabër të zotërve të tyre serbë, atë kumt të stërlashtë të pushtuesve për të pushtuarit që do të shfaqej sërish sheshazi në Ballkan në hyrje të shek. XXI: "Mos ngritni krye, se jua këpusim kështu të gjithëve!"

Sivjet, kur bie përvjetori i 20-të i vrasjes së tyre, historiografia zyrtare shqiptare do të bënte mirë ta rrëfejë deri në fund tregimin e prerë të Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe të shokëve të tyre. E kur ta ketë rrëfyer atë, t'i tregojë edhe rrëfimet e atyre që ishin para tyre, e të atyre që vijuan pas tyre. Jo pse e ka obligim para tyre. Po pse e ka obligim para vetit.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:19
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË