NUMĖR 61
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
KULTURË
MARKETING
KONTAKT
DOSJE
ARKIVI
 
 
Anatomia e një atentati

Sikur populli shqiptar ta kish një histori të mirëfilltë shkencore, e që mjerisht ende s'e ka, disa kapituj të trashë do t'i kushtoheshin patjetër lëvizjes nëntokësore të rezistencës matanë kufinjve të Shqipërisë administrative. Do t'ishte fjala, pa dyshim, për një rrëfim jashtëzakonisht interesant, për shqiptarë e për të huaj.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Skelet për tri i biografi

Jusuf Gërvalla u lind më 1 tetor 1945 në Dubovik, komuna e Deçanit.
Shkollën fillore e mbaroi në Prapaçan.
Kur kishte vetëm 6 vjet i vdiq i ati. Më 1959 familja e tij shpërngulet për në Slloveni, ndërsa ai mbetet në Kosovë, te daja i tij në Pejë për të mbaruar shkollimin.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
E tëra dukej si pas një ekzekutimi

Vrasës të panjohur i vranë në afërsi të Heilbronnit tre jugosllavë. Për autoritetet shtetërore gjermane kjo masakër është kulminacion i ri në luftën e fshehtë, në të cilën agjentë të sigurimit jugosllav dhe kundershtarë të pushtetit luftojnë mes tyre.

PËR MË SHUMË >>>
DOSJE VITI IV - JANAR 2002

20 vjet nga vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës

Xhafer SHATRI

17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka është një datë e trishtë në historinë e shqiptarëve. Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me ta. Fjala është për pjesëtarët e brezit që i vuri kazmën Jugosllavisë së fuqishme, vetëm me një synim: të çlirohet Kosova dhe territoret e tjera shqiptare në këtë ish-shtet.
Nëse ju rastis të vizitoni ndonjërin prej këtij brezi do të shihni se nëpër banesa akoma i mbajnë portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach. Ato portrete prej kohësh kanë statusin e ikonave. Për më tepër janë pjesë e rritjes, formimit dhe burrërimit të fëmijëve të tyre.
Ky brez ende pyet dhe pyet: pse edhe pas njëzet vjetesh, ky krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka mbetur i pandriçuar, ndërkohë që në inatet ndërshqiptare përplot emra janë lakuar si vrasës të mundshëm apo të sigurt?

1. Një Lëvizje e re përballë një shteti të vjetër
Në Kosovë, menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, pati filluar në përmasa të pabesueshme, radiologjia e diferencimit politik që nënkuptonte terrorizimin psiqik, largimin nga shkolla e nga puna, arrestimin, torturën dhe burgimin e gjatë.
Shërbimet jugosllave përmes arrestimeve i kishin dhënë një grusht të rëndë Lëvizjes për pavarësi, mijëra njerëz ndodheshin nëpër burgje civile ose ushtarake; mbikëqyrej çdo gjo gjë e çdo kush. Elita politike duke qenë e papërgatitur për këto rrethana dhe e përçarë nuk mundi t'a përballojë presionin serb që mëtonte nënshtrimin definitiv të shqiptarëve. Në anën tjetër intelegjencia duke qenë krejt e papërgatitur dhe e pambrojtur u struk para rrezikut evident, kështu që politikën e shqiptarëve filluan ta bëjnë të rinjtë, që ende ishin me njërën këmbë në fëmijëri. Dhe kjo nuk ishte një politikë e madhe: aty këtu ndonjë trakt, ndonjë parullë, ndonjë revoltë e shkruar në letër, në mur ose në asfalt, po që përçonte një measazh të fuqishëm: kurrë nuk do të mund të na nënshtroni!
Në këto rrethana mërgata shqiptare përbënte një eshalon të veçantë të Lëvizjes për pavarësi. Përparësia e saj ishte se ajo ishte larg veprimit të drejtpërdrejtë të aparatit shtetëror, ishte prezente në vend, sepse një pjesë e madhe e mërgimtarëve qarkullonin rregullisht brenda e jashtë, kishte kontakte familjare e personale… Roli i saj ishte ndier në mënyrë të drejtpërdrejtë në prag, gjatë dhe pas demonstratave të vitit '81 përmes shtypit që përgatitej jashtë dhe shpërndahej brenda, përmes krijimit të rrjetit të organizimit etj.

I vetëdijshëm për rëndësinë e mërgatës shqiptare sektori i kryesisë së Jugosllavisë që koordinonte aktivitetin e gjithë sistemit të shërbimeve informative civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga slloveni Stane Dollanc, u përcaktua për një grusht shkallmues që do t'i jipej mërgatës, në mënyrë që ajo të shfaktorizohej njëherë e mirë.

Në këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Atentati u krye në kohën kur krejt aparati shtetëror i Jugosllavisë ishte përqëndruar në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare; atëherë kur Kosovës po i dërrmoheshin njëra pas tjetrës të gjitha të drejtat dhe institucionet vetanake që ishin fituar me shumë përpjekje e flijime.
Atentati pati pasoja të rënda sepse u krye kur shumë prijës të Lëvizjes për pavarësi, që vepronin ilegalisht ose gjysmilegalisht ishin arrestuar dhe kundër tyre ishin kryer ose përgatiteshin proceset politike. Veç të tjerash, kjo vrasje shkaktoi tronditje të mëdha edhe për faktin se u krye në një periudhë destabilizimi e krize të thellë politike në gjithë hapësirat shqiptare. Ngjarjet e Kosovës në Shqipëri patën efekt të drejtpërdrejtë, sepse çuan deri te konflikte të përgjakshme në vetë udhëheqjen e shtetit për politikën që ishte ndjekur apo që do të ndiqej aty e tutje. Këto trandje madje ndikuan në fundin tragjik të kryeministrit të atëhershëm Mehmet Shehu.
Duhet pasur gjithashtu parasysh se atentati në Gjermani ishte edhe përballje e organeve të shtetit jugosllav me organet e shtetit shqiptar, sepse në rrethanat që ishin krijuar në Kosovë për politikën e Shqipërisë viktimat e atentatit ishin gurë me peshë në luftën politike e diplomatike që do të bëhej aty e tutje.

2. Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet tetëdhjetë

Në atë kohë në mërgim vepronin shumë organizata. Që në krye duhet nënvizuar se mërgata e vjetër ishte rraskapitur madje edhe dërrmuar në përballjet e shërbimeve jugosllave me ato shqiptare që ishin bërë brenda saj. Por objekt i kësaj trajtese do të jenë ato grupime që mund të kishin një ndikim në rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë. Atëherë në Evropën Perëndimore, konkretisht në Gjermani e Zvicër vepronin:

1. Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte vrarë në Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i Besëlidhjes, ndërsa në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin tjetër, Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik me orientim të djathtë dhe bashkëpunonte me mërgatën kroate.
2. Grupi komunist "Zëri i Kosovës", një qerthull që drejtohej nga Riza Salihu.
3. Fronti i Kuq Popullor, udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, dhe nxirrte gazetën "Bashkimi" (janë botuar 3 numra). Kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë.

4. Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës që nxirrte gazetën "Liria" (janë botuar 6 numra). Këtë organizatë në mërgim e udhëheqte Kadri Zeka. OMLK prej vitesh kishte aktivistët e saj në Zvicër.
5. Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr Jusuf Gërvalla. Fillimisht Jusufi ka ndihmuar substancialisht nxjerrjen e gazetës "Bashkimi", pastaj ka nxjerrë gazetën "Lajmëtari i Lirisë" (gjithsej tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të LNÇKVSHJ-së gazetën "Zëri i Kosovës".

Pas shpërthimit të demonstratave të vitit '81 u bënë përpjekje për bashkimin e disa prej këtyre organizatave, konkretisht mes atyre që kishin udhëheqje politike brenda, pra OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së.
Përpjekjet për bashkim janë bërë në Kosovë dhe në mërgim. Bisedimet për bashkimin e organizatave janë vonuar e vështirësuar për shkak të veprimit në ilegalitet dhe të rrethanave që u krijuan pas arrestimeve të mëdha gjatë gjithë vitit të demonstratave. Një takim i mbajtur në Stamboll, në tetor të vitit 1981, e në të cilin kishin marrë pjesë në një anë, Kadri Zeka si përfaqësues i OMLK-së, dhe në anën tjetër Sabri Novosella e Bardhosh Gërvalla, si përfaqësues të LNÇVSHJ-së kishte dështuar jo vetëm për shkak të dallimeve konceptuale. Bisedimet për bashkim të këtyre organizatave nuk mund të përjashtoheshin nga rrethanat shqiptare dhe rajonale, sepse organet e shtetit shqiptar pas disa dështimeve në përballjet me shërbimet jugosllave, përpiqeshin ta konsolidojnë apo thënë më mirë ta kontrollojnë Lëvizjen e Kosovës për pavarësi. Në treshin që u vra shteti shqiptar shihte shtyllat e rëndësishme të mbajtjes gjallë të qëndresës në Kosovë.
Megjithatë aktivistët e këtyre dy organizatave jashtë, konkretisht Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë bashkëpunuar ngushtë në nxjerrjen e gazetave, në organizimin e demonstratave dhe manifestimeve të ndryshme. Sipas burimeve të besueshme në prag të vrasjes janë bërë përpjekje fort serioze për bashkim dhe ai duhet të ketë qenë shumë afër.

3. Uniteti i veprimit
Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka janë takuar për herë të parë në mërgim, në fillim të vitit 1981. Prej atëherë dhe gjer në vrasjen e tyre ata kanë vepruar bashkë në shumë drejtime: në përgatitjen dhe publikimin e shtypit ilegal, konkretisht të gazetës "Liria", në organizimin e manifestimeve dhe demonstratave në mbështetje të kërkesave të Lëvizjes Studentore në Kosovë.
Demonstratën e parë e kanë organizuar në Bernë të Zvicrës më 1 prill 1981, një javë më vonë një demonstratë tjetër në Zürich, më 25 prill kanë organizuar një demonstratë në Stutgart. Me këtë rast janë hetuar agjentët jugosllavë duke fotografuar demonstruesit. Disa aktivistë të udhëhequr nga Bardhosh Gërvalla i kanë zënë ata në flagrancë dhe u kanë marrë aparatin. Në mesin e "fotografëve" kishte qenë dhe një shqiptar (BH), nëpunës i konsullatës jugosllave në Stutgart, përndryshe gjatë viteve shtatëdhjetë inspektor i UDB-së, i ngarkuar për mbikqyrjen e Qendrës së Studentëve.
Më 9 maj kanë organizuar një demonstratë në Dusseldorf.
Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë në Bruksel.
Me këtë rast në formë të një peticioni konkretizohen kërkesat politike:
1. Kosovës t'i njihet statusi i Republikës në kuadër të federatës;
2. Popullit tonë t'i njihet e drejta për vetëvendosje;

3. Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë të burgosurit e tjerë;
4. Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga republikat jugosllave, por ato t'i shfrytëzojë Kosova për zhvillimin dhe pasurimin e vet;
5. T'i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;
6.Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me studentët e universiteteve tjera të Jugosllavisë;
7. Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin e mërgimtarëve në vendlindje;
8. Lirinë e fjalës dhe shtypit;
9. Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore;
10. Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake të sjellura nga jashtë;
11. Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin e merituar.
Krahas organizimit të demonstratave Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë vepruar edhe në shtrirjen e rrjetit të organizimit brenda dhe jashtë. Një rëndësi të veçantë i kanë kushtuar shkatërrimit të klubeve që kontrolloheshin nga përfaqësitë jugosllave. Falë këtij aktiviteti prej vitit 1981 e tutje klubet jugosllave nuk janë frekuentuar më nga mërgimtarët shqiptarë. Veç klubeve janë prishur dhe diskredituar një vistër manifestimesh që regjimi i organizonte jashtë me qëllim të joshjes dhe manipulimit të mërgimtarëve shqiptarë.

4. Pse u krye atentati?
Veprimtaria e gjithanshme e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimet jugosllave jashtë dhe brenda. Ata ishin një trio e kompletuar, që një lëvizjeje atdhetare i duhet shumë kohë për ta krijuar: Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë, Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe ishte komunikator i talentuar. Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim.
Mirëpo, përballë tyre ata kishin një shtet të fortë e me shumë mundësi. Jugosllavia prej themelimit të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një luftë të pamëshirshme kundër oponentëve të këtij shteti, konkretisht kundër përfaqësuesve të popujve që nuk kishin pranuar të futen nën tutelën serbe. Prijësit më me peshë të kroatëve, maqedonëve dhe shqiptarëve, që i janë kundërvënë politikës serbe, janë ndjekur në vazhdimësi dhe janë luftuar me të gjitha mjetet nga eskadronet speciale serbe.
Prej atëherë e gjer më sot sektorët më të përgatitura të shërbimeve informative serbe kanë qenë ato që kanë luftuar kundër mërgatës kroate, shqiptare etj. Format e luftës kanë qenë të nduarduarshme: përcjellje e përgjime hap pas hapi, intriga e përçarje, kërcënime dhe eleminime fizike.
Kjo praktikë ka vazhduar edhe më me këmbëngulje pas Luftës së Dytë Botërore. Disa dhjetëra prijës kroatë janë vrarë në atentate spektakulare nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet.
Struktura të tëra të shërbimeve informative që janë kontrolluar nga serbët kanë funksionuar jashtë. Këto struktura kanë pasur fonde marramendëse, përmes të cilave kanë depërtuar jo vetëm nëpër "organizatat armiqësore", por edhe në struktura shtetërore të vendeve të ndryshme dhe në organizata e institucione ndërkombëtare me peshë.
Shërbimet serbe me dekada kanë vepruar të papenguara nëpër shumë vende perëndimore, ku përmes parave, femrave, shantazhit etj. kanë qenë fort të pranishme edhe në qendra themelore të vendimmarrjes. Frytet e këtij aktiviteti Beogradi do t'i korrë sidomos gjatë viteve nëntëdhjetë, kur pa ndonjë pengesë serioze do ta përgjakë keq Kroacinë, do ta masakrojë Bosnje e Hercegovinën dhe përmes një apartheidi të hapur e brutal do ta mbajë Kosovën në zgripc të ekzistencës.
Ndikimi i nëndheshëm i Serbisë u rrënua vetëm kur Beogradi, faqe tërë botës, u përpoq ta asgjësojë krejt popullin e Kosovës.
Në këtë kuptim përballja e mërgatës së re politike të Kosovës (që ishte pa asnjë mbështetje politike, që nuk kishte arritur të ketë as ndikimin më të vogël në mediat e fuqishme perëndimore, që kishte një gjendje financiare katastrofike) me strukturat e shërbimeve jugosllave ishte tmerrësisht e pabarabartë. Lëvizja shqiptare kishte vetëm një epërsi: idealizmin e pakufishëm, i cili mund të mbijetojë vetëm në aspiratën e përjetshme për të qenë dhe për të jetuar të lirë.

Me një fjalë, shërbimet serbe kanë përcjellë gjithë aktivitetin e mërgatës shqiptare nga brenda dhe nga jashtë, sepse ky ka qenë një organizim që posa kishte filluar të vërë rrënjë dhe infiltrimi i provokatorëve nuk ka qenë i pamundshëm. Kështu që përcjellja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës nuk ka qenë ndonjë problem i madh për UDB-në. Lëvizjet dhe aktivitetet e tyre kanë qenë publike :
28 Nëntorin, ditën e Flamurit e kanë festuar në rrethinën e Ludwigsbourg-ut. Aty Jusufi e Kadriu kanë pasur një debat të drejtpërdrtejtë (pyetje-përgjigje) me bashkatdhetarët.
Më 2 janar është martuar Kadri Zeka me Saime Isufin. Në dasmë kanë marrë pjesë rreth 50 aktivistë nga Zvicra dhe Gjermania. Ne dasmë kanë qenë edhe vëllezërit Gërvalla.
Më 13 janar 1982 Kadri Zeka ka udhëtuar me tren për Gjermani. Konkretisht në Dusseldorf, ku ka ndejtur gjer më 16 janar. Po atë ditë ka udhëtuar për në rrethinën e Stutgartit, konkretisht në Bernhausen, ku Vëllezërit Gërvalla kishin organizuar shfaqje të filmave shqiptarë me një rreth bashkatdhetarësh.
Aty kanë ndejtur deri pas mesnatës. Në banesën e Vëllezërve Gërvalla, në rrugën Habichthöhe, nr. 40, në Untergruppenbach, qytezë afër Heilbronn-it kanë arritur kah ora 3 e mëngjesit. Atë natë nuk kanë fjetur fare. Gjatë ditës kanë planifikuar aktivitetet e mëtejme. Në mbrëmje kanë dalë nga ora 22:00 me veturën e Bardhit, një BMW 316 ngjyrë e gjelbër me targë HN-CY 353.

5. Neve na vrau UDB-ja jugosllave!
Lagjja ku kanë banuar Vëllezërit Gërvalla ka qenë një lagje e qetë e banuar kryesisht me mësues, mjekë, inxhinierë. Në njërën hyrje të rrugës, në anën e majtë ka pasur shumë garazha, gjithashtu edhe përballë banesës dykatëshe të familjes Gërvalla ka pasur të tilla.
Ndërkaq në fillim të kthesës atëherë ka qenë në ndërtim e sipër një shtëpi trekatëshe. Siç është konstatuar më vonë, agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave prej asaj ndërtese kanë përcjellë jo me ndonjë drojë të veçantë banesën e familjes Gërvalla, hyrjet, daljet etj…
Atë kohë ka pasur jo pak indikacione se po përgatitet eliminimi i Vëllezërve Gërvalla dhe i Kadri Zekës.
Nata e 17 janarit 1982 ka qenë shumë ftohtë e me shumë borë.
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë dalur në atë kohë, siç i kanë thënë shoqes së Jusufit, Syzana Gërvallës për ta bërë një telefonatë nga një kabinë e një fshati fqinj. Ndoshta për të evituar përgjimin.
Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë hyrë në garazhë, kanë hipur në veturë, të cilën e ka ngarë Bardhoshi. Për të dalë nga garazha në rrugë, vetura për shkak të borës është dashur të ngitet së prapthi deri në krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në krye të kthesës vetura është lakuar majtas për të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në rrugë. Ky manovrim është bërë mu përballë shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë të fshehur vrasësit.
Këta të fundit kanë parë daljen e veprimtarëve shqiptarë nga banesa pastaj hyrjen në garazh dhe janë bërë gati për të ekzekutuar atentatin. Kur vetura ka ardhur së prapthi përballë shtëpisë në ndërtim, vrasësit kanë qenë prapa saj. Sipas dëshmitarëve kanë qenë dy vrasës, njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën duke e qëlluar 6 herë, ndërkaq tjetri ka vrarë Kadri Zekën që ishte në ulësen e përparme, në anën e djathtë. Pastaj e kanë plagosur për vdekje Jusuf Gërvallën që ishte ulur në ulësen e prapme. Dhe janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba. Ndërkaq vetura ka vazhduar të ecë përpara gjersa është ndalur në derën e një garazhi përballë.
Ndërkohë një fqinj, gjerman, ka informuar familjen Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me dorë. Ai e ka pyetur për Bardhin e Kadriun se a janë gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur. Pastaj i ka lënë porositë e fundit gruas së tij.
Pas gjysmë ore vjen ndihma e shpejt nga Heilbronn-i.
Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3 të mëngjesit të datës 18 janar 1982 edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt. Por para se të vdes Ai arriti t'i thotë policisë gjermane: Neve na vrau UDB jugosllave!
Kjo fjalë e atdhetarit dhe poetit Juusuf Gërvalla, e shqiptuar me frymën e fundit do të sfidojë gjithë makinerinë jugosllave të dezinformimit.

6. Praktikat e ekzekutimit
Vendimi për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht është marrë në nivelin më të lartë të vendit. Fillimisht shërbimet informative kanë mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjtë, zakonisht është përgjuar telefoni në atë mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët), sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton, me kë praktikon hyrjedalje, etj., etj.). Të gjitha këto të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh e fotografi.
Pasi është analizuar dosja është caktuar ekipi i atentatorëve dhe i mbështetësve përanash, shlyerësit e gjurmëve të mundshme. Krahas kësaj janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në këtë veprimtari përfshihen edhe letrat e telefonatat anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve të ndryshme. Synimi është që jo vetëm të fshehen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh në mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh në mes përfaqësuesve të nëntokës etj. etj.
Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zekës. U ngrit një pluhur i tillë dezinformatash sa që nuk errësoi vetëm mërgatën por edhe krejt Kosovën. Ky pluhur vazhdon të ndotë ambientin politik shqiptar edhe sot pas njëzet vitesh nga atentati. Lakohen emra njerëzish, kryesisht shqiptarë. Në këtë ka ndikuar edhe bashkëfajësia e organeve gjermane për këtë rast, sepse ato menjëherë pas atentatit madje edhe përmes shtypit nxorën dhe arrestuan si të dyshmitë kryesor për atentatin një refugjatë shqiptar nga Kosova, konkretisht Riza Salihun, duke publikuar në media edhe fotografinë e tij, gjë që dëshmon se sektori i UDB-së për dezinformim, kishte kryer punën në mënyrë të përkryer.
Riza Salihu, një refugjat entuziast nga Mushtishti i Therandës, krahas aktivitetit atdhetar ka qenë i angazhuar, si jo pak të rinj të Kosovës, edhe nga ana e Ambasadës shqiptare në Vjenë, ku ishte qendra e sigurimit të shtetit për Evropën Perëndimore, për të propaganduar politikën e shtetit shqiptar dhe për të informuar për çdo gjë që sheh e që dëgjon, jo vetëm në mjediset e mërgatës shqiptare në Gjermani.
Në këtë veprimtari Rizah Salihu si duket ka qenë edhe më tepër si i përpiktë e i përkushtuar. Shkas për arrestimin e tij ka qenë fakti se ai gjoja i ka hapur kutinë postare (Postfachun) Jusuf Gërvallës, për ta kontrolluar dhe për të informuar Qendrën e Sigurimit shqiptar në Vjenë. Jusufi gjoja e ka kuptuar këtë dhe i ka informuar shokët e tij? Apo se policia gjermane e ka ndalur me një rast dhe i ka gjetur një revole… Se Riza Salihu mund të ketë pasur konflikte me grupet e tjera politike në mërgim kjo nuk është për t'u çuditur, sepse nxitja e grindjeve dhe përçarjeve në mërgatë ka qenë një metodë klasike e sigurimit shqiptar për ta kontrolluar edhe mërgatën e Kosovës, e cila ditë e më tepër fitonte në peshë me rolin dhe mundësitë e saj. Rizah Salihun organet hetuese gjermane e mbajtën në burg rreth 5 muaj. Por Riza Salihu nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai më tepër ka rënë viktimë e veprimeve speciale të UDB-së gjatë fshehjes së gjurmëve të krimit në Untergruppenbach.
Fillimisht policia e Baden Würtembergut formoi një komision special ku duhet të kenë qenë të angazhuar rreth 40 persona. Që në ditët e para policia publikoi përshkrimin e mundshëm të vrasësve duke premtuar edhe një shpërblim prej 10 mijë DM për dëshmi të besueshme. Në kërkesën e policisë për bashkëpunim jipen edhe këto të dhëna:
Të dielen, më 17 janar 1982, rreth orës 22h15 i kanë vrarë vëllezërit Gërvalla dhe shokun e tyre Kadri Zekën. Gjatë daljes së tyre nga garazhi dy persona kanë shtënë me armë mbi ta. Ka të dhëna të besueshme se vrasësit janë sjellur nëpër Untergrupenbach të paktën prej datës 10 janar 1982. Ata duken si më posht:
I dyshimti i parë: Rreth 30 vjeç, i gjatë 180-183 cm. I fuqishëm. Ka në kokë një kapelë të kthyer në majë. Pallto të shkurt ngjyrë kafe me jake të mbylltë, pantollona të kuq e të ngushtë, çizme të gjata me një rreth leshi të bardhë lart. I dyshimti i dytë: ka rreth 25 vjet, është më i thatë dhe më i vogël se i pari. Ai ishte i veshur me tesha ngjyrë të mbylltë. Në kokë kishte një kapulaçë të leshtë me një topth në majë.
Krahas këtij informacioni, policia kishte publikuar gjithashtu edhe fotografinë e veturës me të cilin mund të jenë arratisur vrasësit. Fjala është për një Citroén CX2000 ngjyrë të çelur.
Për dëshmitarët e mundshëm ishte dhënë edhe telefoni i policisë: 07131 104 2205.
Pas nëntë muaj hetimesh, kur dosja 08/15 kishte rreth 30 vëllime dokumentacion, por asnjë të arrestuar me akuzë të argumentuar, autoritetet gjermane vetëm mund të pohojnë se "kjo është një vrasje politike e kryer nga vrasës profesionistë dhe se dyshohet se një apo më shumë shërbime të fshehta drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë marrë pjesë në tërheqjen e këmbëzave të revoleve të kalibrit 7.65 mm" (Heilbronner stimme, datë 1 tetor 1982).

7. Kush i vrau Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën?
Eshtë e njohur se UDB-ja si armë për atentate ka përdorur revolet "Bereta" të kalibrit 7.65mm.
Pas vdekjes së Titos kupola e shërbimeve informative, ka qenë e përqëndruar në duart e Stane Dollancit, anëtar i Kryesisë së RSFJ-së. Ministër i Punëve të Brendshme ka qenë gjenerali partizan Franjo Herleviq, me kombësi kroate.
Me ardhjen e Dollancit në Kryesi, shërbimet informative ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej ndryshimeve është ajo se UDB fillon të angazhojë nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë.
Sipas shumë burimeve del se atentatin në Untergruppenbach e ka kryer Zheljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan. Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it (Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit) me kombësi malazez. Ai që krejt i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje, vjedhje, plaçkitje, përdhunime. Duke qenë në vuajtje të dënimit ai ikën nga burgu dhe del jashtë, ku kryen vepra spektakulare krimi. Arrestohet, por arrin të ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë, Belgjikës dhe Zvicrës. Nga kriminel me renome ndërkombëtare Arkani, me insistimin personal të Stane Dollanc-it bëhet oficer me ndikim të fortë i shërbimeve serbe.
Ka indikacione se në këtë krim ka qenë i implikuar edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së Frankfurtit, Ljubo Zemunac.
Këta të dy, një vit më vonë, e kanë ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar edhe me sopatë.
Gjatë viteve nëntëdhjetë Arkani do të jetë grushti i hekurt i regjimit serb kundër popullsisë civile në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë. Ai ka udhëhequr njësitë e ushtrisë që kishin në përbërje kriminelët më të regjur e më katilë të nëntokës serbe.
Edhe sot, pas njëzet vitesh, policia gjermane zhvillon hetime lidhur me krimin në Untergruppenbach. Gjykata e këtij vendi të madh evropian akoma nuk ka nxjerrë në bangë të zezë organizatorët, vrasësit apo pjesëmarrësit e çfarëdo niveli në këtë atentat.
Por nuk duhet harruar se shërbimet informative gjermane, duke qenë ndër më seriozet e më profesionalet në botë dhe më depërtueset në Evropën Juglindore e dijnë saktësisht gjithë zinxhirin dhe gjithë personat e implikuar në këtë vrasje të shumëfishtë, e cila e qiti në të dy gjunjtë Lëvizjen e Kosovës për Pavarësi.
Eshtë udhëheqja politike gjermane ajo që bart përgjegjësinë pse nuk ka ngritur kurrë zërin për këtë krim të shëmtuar. Eshtë vetëm një përjashtim: menjëherë pas atentatit një deputet i partisë Socialdemokrate, aso kohe në opozitë, pati shtruar një pyetje në parlamentin federal se a qëndrojnë shërbimet serbe prapa këtij atentati. Asgjë më shumë. Për më keq as autoritetet lokale nuk denjuan familjen Gërvalla, që kishte kërkuar strehim politik në këtë vend, me një telegram ngushëllimi.
As mediat gjermane nuk i kushtuan rëndësinë që pritej atentatit në Untergruppenbah. Bën përjashtim vetëm revista prestigjioze Der spiegel, e cila menjëherë pas vrasjes botoi një artikull, në të cilin pa asnjë hezitim drejtoi gishtin drejt burimit të këtij krimi, duke e ngarkuar me përgjegjësi UDB-në jugosllave.
… Dhe dihet se në këtë organ diabolik kanë punuar dhe jo pak shqiptarë dhe ka në mesin e tyre që e dijnë saktësisht se si dhe kush i ka vrarë Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zekën, se si dhe kush e ka vrarë Rexhep Malën e Nuhi Berishën, se si është qitur në kurth Zija Shemsiu, se si dhe kush i ka eliminuar Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun…, që e dijnë se cilët kanë qenë urithët e policisë politike nëpër organizatat ilegale të Kosovës jashtë dhe brenda… etj., etj. Por deri më sot asnjëri prej tyre nuk e ka çelur thesin. Dhe kjo flet shumë, flet për mungesë ndërgjegjeje, madje edhe për bindje se kanë vepruar drejt… Flet për shoqërinë kosovare, e cila ka mbamendje kaq të cekët, flet për elitën politike shqiptare dhe për moralin e saj të dyshimtë… Sepse ajo në bërrylimet për pushtet gati fiktiv harroi 20 vjetorin e vrasjes në Untergruppenbach dhe detyrimin e saj që në njërin prej shesheve kryesore të kryeqytetit t'u ngrisë një përmendore të përbashkët atyre që ishin ndërgjegja e kombit, atyre që u flijuan për këtë ditë të madhe… Dhe njëherit të rezervojë dy pëllëmbë toke te varrezat e dëshmorëve e t'i vendosë aty eshtrat e këtyre Burrave që nderuan Kombin.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:20
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË