RA
GONGU, NISI GARA MAQEDONE
Shkruan Apollon BAÇW
Maratona
popullore qeveritare maqedone
Sot nisi maratona popullore më masive maqedonase. Drejt Sobranie-s,
Kuvendit maqedon, janë turrur 3060 persona, 153 subjekte elektoralë,
53 parti, 7 koalicione, 5 Grupe Qytetare.
Pas shpine mbeti fushata më e çmendur elektorale maqedone
dhe një nga fushtat më të çmendura që
ka parë Ballkani. Me bomba, kryqe metalikë 76 metërsh,
vrasje, nota diplomatike, rrëmbime, asfaltime rrugësh
katundi, tanksa, hard rock, helikopterë. Aq e turbullt, saqë
deri fushatat e rrokopujshme shqiptare gati-gati të japin përshtypjen
e fushatave europiane.
Për "ujkun e vjetër" të zgjedhjeve, Edward
Joseph-in e "Grupit Ndërkombëtar të Krizave",
"Çdo gjë që ndodh në kontekstin e zgjedhjeve,
ka "background" të qartë politik". "Organizata
e Brendshme Revolucionare Maqedone (VMRO) kërkoj që të
përmirësojë përqindjen e ulët nëpërmjet
turbullirave. Kalkulimi i saj i rrezikshëm ishte se në
kohë të shqetësuara, pozicionet radikale sigurojnë
më shumë vota" thonë nën zë, por njëzëri,
vrojtuesit ndërkombëtarë.
Ish Ministri i Brendshëm Pavle Trajanov i sqaron edhe më
mirë këto thënie: "VMRO-ja ka një trupë
sulmi qëllimi i së cilës është provokimi
i shqiptarëve duke krijuar kështu një alibi për
ti shpëtuar kritikës ndërkombëtare për
ndërhyrjen pasuese me trupa ushtarake".
Merita që ky "kalkulim i rezikshëm" nuk solli
rinisjen e luftës, i takon palës shqiptare. Sipas Këshilltarit
të Presidentit Trajkovski, ish Ministrit të Jashtëm
Frckovski, "Shumë politikanë shqiptarë kanë
treguar ate maturi politike që i ka munguar partive maqedone.
Merita për këtë zhvillim tek Shqiptarët i takon
Ali Ahmetit".
Në gusht CIA e kishte lajmëruar Ahmetin se 200 "luanër"
të Ministrisë së Brendshme, të veshur civilë
ishin pregatitur për tu përgjakur me zgjedhësit e
tij dhe Ahmeti u tërhoq nga tubimi. Edhe pardje Ahmeti anulloi
tubimin e fundit elektoral. "E bëmë që të
mos përmbyset i gjithë procesi paqësor... dhe nga
ndjenja e përgjegjësisë për jetën e qytetarëve"
tha ai. "Ahmeti ka mjaft autoritet nacional që të
dalë me pikepamje te arsyeshme, pa frike se do të akuzohet
se nuk është patriot shqiptar" tha Crvenkovskii SDSM-së.
"Kjo e ngriti lart në sytë e Bashkësisë
Ndërkombëtare" vijoi komentet media e huaj. "Kur
Ministri i Brendshëm Boshkovski kërkoi të arrestonte
Ahmetin, amerikanët, të paktën siç thotë
Boshkovski, ju kërcënuan se do ta nisin pako postale drejt
e në gjyqin e kriminelëve të luftës në
Hagë".
Njollat e murme
"VMNRO-ja i beson vetëm një sondazhi opinioni, zgjedhjeve"
tha kryetari i VMNRO-së Georgievski pasi pa ngjyrën e
murme të sondazheve për partinë e tij. Nëse
në zgjedhjet e shkuara VMRO-ja kishte dy herë më
shumë vende në parlament -së se shemra Aleanca Social
Demokrate Maqedonase (SDSM), sot situata paraqitet e pëmbysur.
Sipas sondazheve dhe opinionit unanim, SDSM-ja do të ketë
1,5 herë më shumë vota se VMRO-ja.
Kjo përmbysje nuk i përket vetëm kampit maqedon.,
BDI-ja e Ahmetit parashikohet të marrë dy herë vota
më shumë sesa ortakja qeveritare e VMRO-së, Partia
Demokratike Shqiptare (PDSH) e Xhaferit.
Sipas sondazheve të Institutit për Demokraci dhe Shoqëri
Civile në korik SDSM kishte 30,2% ndërsa VMRO 13,6%, dhe
një javë para SDSM-ja kishte 36,7 % dhe VMRO-ja 21,6 %.
Sipas këtij sondazhi BDI e Ahmetit merr 10,7% të votave
dhe PDSH 3,9%. Por kjo e dhënë bazohet në formulën
maqedone një shqiptar tre maqedonë. Po të nisemi
nga formula shqiptare dy maqedonë një shqiptar, përqindja
duhet të jetë më e lartë. Jo pak vrojtues i
japin BDI-së vendin e dytë.
Sido që të jetë, inversioni është i qartë:
Dy partitë e koalicionit në pushtet i kanë humbur
vendet e para, VMRO-ja si parti maqedone dhe PDSH-ja si parti shqiptare.
Të dy humbësit e mëdhenj VMRO dhe PDSH kanë
zgjedhur të njëjtën taktikë humbëse. Të
dy fituesit e mëdhenj SDSM-ja dhe BDI-ja kanë zgjedhur
të njëjtën taktikë fituese.
"PDSH-ja ka marrë, së paku verbalisht, flamurin radikal
në palën shqiptare, ndërsa VMRO-ja këtë
e bën në palën maqedonase. E si për çudi
këtyre dy partive koalicioni me njera tjetren u funksionon
mrekullisht" habitet Crvenkovski i SDSM-së. Vërtet
aksioma thotë ekstremet puqen, por jo në këtë
masë. Nuk mund të ketë psh. koalicion nazisto-zionist.
Dhurata e krishtlindjeve
"Nëse dikush do të pyeste maqedonasin e thjeshtë,
çfarë dëshëron si dhuratë nga viti i
ri? Ai do të përgjigjej të rijetoja në kohën
mirë të Maqedonisë komuniste" tallet Spiegel-i
gjerman. Dmth. "përpara në të shkuarën".
Por në të vëertetë politikani më i preferuar
është Kiro Gligorovi. Ministrin agresiv dhe qesharak të
policisë Boshkovski, e pëlqen veç 4% e maqedonsave,
mesa duket policët.
Maqedonia është e lodhur nga luftërat pa kuptim për
hir të një ideali të pakuptimtë nacionalist
të VMRO-së, Maqedonia është e lodhur nga triket
me lepuj që dalin nga kapelja e VMRO-së, e rrënuar
ekonomikisht nga lufta e pakuptimtë civile e VMRO-së.
Vota maqedone është së pari një votë proteste.
Por nëse si kryetari Georgievski i VMRO-së, si nënkryetari
Menduh Thaçi i PDSH-së, i cili po e zëvëndëson
gjithnjë e më tepër Xhaferin e sëmurë,
janë ndër politikanët më të zgjuar të
Ballkanit, zgjedhja e kësaj taktike nuk ka ndodhur për
shkaqe paaftësie ose verbërie. Si VMRO-ja ashtu edhe PDSH-ja
ishin të detyruara që të zgjidhnin taktikën
që zgjodhën.
Slogani kryesor i VMRO-së, të cilën qarqet diplomatike
e njohin me emrin "enfant terrible", fëmijë
i tmerrshëm, dmth. rugaç, është "Luftë
banditit Ahmeti". Madje ajo i propozoi edhe SDSM-së një
koalicion për të luftuar "gangsterin Ahmeti".
Ndërkohë që SDSM-ja e qesëndisi ajo e ktheu
këtë slogan në "Luftë banditit Ahmeti dhe
tradhëtarëve që bashkëpunojnë me te".
Kjo do të thotë se VMRO-ja është në kërkim
të një gozhde ku mund të varë sërishmi
pushtetin, të një lufte të ethshme për të
mos dalë nga pushteti. "Ka frikë të tmerrshme
nga dhënia llogari pas zgjedhjeve" thonë Liberal-Demokratët.
Sipas raportit fare të freskët të "Grupit Ndërkombëtar
të Krizave", të 14 gushtit, "Korrupsioni në
Maqedoni ka evoluar nga forma pasive në aktive. Kapaciteti
i tij tashmë pengon plotësisht zhvillimin ekonomik...
Kupola e korrupsionit eshte shteti, i cili e ka kthyer Maqedoninë
në burim dhe pikë tranziti kontrabande dhe krimi të
organizuar... Korupsioni i jep administrativës shtetërore
pushtet të pakufishëm".
"Tema e re e cila imponohet - krimi i organizuar dhe korru
psioni, që nuk janë të pranishme vetëm te maqedonasit,
por edhe te shqiptaret, rikthejne në lojë temen e marrdhënieve
ndëretnike, pasi nuk kane per çfarë të flasin
tjeter" thotë Crvenkovski. Sipas raporteve të fshehta,
kryeqendra e kontrabandës së duhanit Kumanovo i përket
Georgievskit dhe sipas ish Ministrit të Brendshëm Trajanov
"prijës i transportit të duhanit është
Menduh Thaçi".
Kjo dhe është arsyeja përse viktima Nr.1 e policisë
ishte pikërisht BDI-ja e Ahmetit. Po aq, ndërsa të
tërë akuzojnë për huliganizmat elektorale VMRO-në,
i vetmi që akuzon për prishje mitingu "gangsterët
e Crvenkovskit" është Menduh Thaçi. Në
këtë kontekst, votat që i hiqen BDI-së së
Ahmetit dhe i kalojnë PDSH-së së Xhaferrit janë
vota për koalicionin VMRO-PDSH, dmth. vota për VMRO-në.
Paradoksi Shqiptar
Këtu nis paradoksi , këtë herë shqiptar. Nëse
do arrestohet Ahmeti, PDSH-ja nuk do marrë pjesë në
zgjedhje, por nuk do të dalë nga koalicioni thotë
enigmatikisht Menduh Thaçi. Por ajo që të bije
në sy është gjuha tepër e moderuar e partive
shqiptare kundër partive shqiptare. Krejt e kundërt me
gjuhën e partive maqedone kundër partive maqedone. Dhe,
nëse vërtet përqindja e popullsisë shqiptare
në Maqedoni është mbi 30% dhe nëse tërë
partitë shqiptare do të bashkoheshin pas zgjedhjeve në
një paketë të vetme, me BDI, PDSH, Parti Prosperiteti
Demokratik (PDP) dhe Parti Demokratike Kombëtare (PDK), kjo
paketë do të ishte më e madhe se çdo parti
tjetër maqedone. Ajo do të mund të rrëzonte
lehtë partinë e parë maqedone dhe të sillte
në fuqi partinë e dytë, ndoshta edhe të tretë
maqedone.
"Zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit do të sjellin
ndryshime politike radikale si ato në Serbi në vitin 2000"
thotë Këshilltari i Presidentit Frckovski "Lidershipi
i sotëm i Kryeministrit Georgievski është shumë
nervoz dhe shpejt do ta gjejë veten jashtë zyrës"
vijon ai. Kjo do të zhdukte një nga vatrat ballkanike
të infeksionit dhe koha është tamam kur kjo vatër
duhet zhdukur. Bullgarët sapo kanë nisur të ndërtojnë
naftësjellësin Burgas-Vlorë duke e devijuar për
në Greqi. Shkaku thonë ata është situata maqedone.
Dhe, nëse Maqedonia qetësohet, ky arter mund të dalë
sërishmi në Vlorë duke i sjellë prosperitet
ekonomik Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Gazeta «Shekulli»
|