|
ME
KËSO DOKTORËSH, MJERË PACIENTI
Ashtu
si dje, edhe sot vazhdojmë të dëgjojmë e të
lexojmë në mediat tona kryelajme me këso përmbajtjesh:
Akademiku
Nexhat Daci priti dr. Profesor filanin, doktor Bajram Rexhepi priti
apo përcolli filan apo fistek doktorin tjetër, doktor
Ibrahim Rugova priti apo përcolli filan profesorin apo fistek
akademikun
Njeriu
i painformuar mund të mendojë se fjala është
për kongres të sindikatës së mjekëve, a
për një konferencë të intelektualëve, e
jo për shtetarë.
Merrni
me mend, ju lutem, se sa patetike do të tingëllonte në
veshin e opinionit perëndimor litania glorifikuese: doktor
Helmut Kohl, akademik Bill Klinton, profesor Zhak Shirak, dr.sc.
Medlin Olbrajt, profesor doktor Henri Kisinxher
E pra, në
mesin e tyre ka edhe intelektualë e ekspertë me përmasa
botërore!
Pse
i ka vërshuar kjo mani liderët shqiptarë?
Me
rënien e komunizmit, në skenën e politikës shqiptare
dolën personalitete te reja, të cilët, duke shfrytëzuar
furtunat e fuqishme globale dhe rrethana të tjera, u imponuan
ca më lehtë.
Duke
qenë gati të gjithë pa përjashtim pjesë
e establishmentit të mëparshëm, si kolaboratorë
aktivë a si heshtakë hipokritë, e në mungesë
të emrit të krijuar në luftë politike për
çlirim kombëtar (në territoret e pushtuara) ose
demokratizim të vendit (në Shqipëri), ata u kujtuan
të vënë në spikamë - titujt e tyre shkencorë!
Doktor,
profesor, akademik
u bën ilaç për të
pjellur nam në politikë. Këta tituj përdoreshin
dhe vazhdojnë të përdoren dhe sot gjithandej nga
mediat tona shkrimore e elektronike duke krijuar te opinioni imazhin
- fund e krye të rrejshëm! - se fatet e kombit dhe vendit
qenkan në duar krejt të sigurta.
"Doktor
më
!"
Por
ky opinion, shpresojmë, nuk është aq i sëmurë
sa mendojnë dr.pr.-të e politikës. Populli vërtetë
është qorr, por ndofta jo në të dy sytë.
Mjafton t'ia lëshosh qoftë edhe një gjysmë syri
katrahurës që na e kanë krijuar doktorët, profesorët
dhe akademikët tanë në zanatin e tyre të ri,
për të kuptuar se kush ka nevojë përnjëmend
për mjekim:
Dr.
Sali Berisha me inkompetencën politike e autarkinë pushtetore
të tij solli rrëmujën e vititi 1997, e u mundësoi
turmave dhe varrmihësve të Shqipërisë t'ia vënë
kazmën vendit. Të cilat turma e të cilët varrmihës
u përshëndetën si «demokratë të vonuar»
prej një tjetër doktori matanë kufirit, doktor Rexhep
Qosjes së Vuthajve. E u shanë histerikisht prej një
grumbulli doktorësh tjerë, që vuanin nga amnezia
parciale: e kishin harruar se kryetar shteti në Tiranë
- pra i pari në rendin e përgjegjësisë! - qe
kolegu i tyre.
Kohët
vijnë e shkojnë, doktorët ndërrojnë. Dr.
Berisha e mundoi pacientin deri sa i mbeti në dorë, doktori
i ri/vjetër i Shqipërisë, dr Rexhep Meidani, deri
në skadim të afatit, pati zbuluar një variacion të
ri profesional. Ai luante cungun. Doktori se luante qërpikun;
atij si bënte syri tërr, ndërsa nekrofili Fatos
Nano e mafiozët tjerë vazhdonin tia shkërdhejnë
ethshëm pacientin e shtrirë për vdekje, Shqipërinë
e shkretë.
E
ndër kosovarët, dueti i doktorëve Rugova e Bukoshi,
bashkë me stafin e doktorëve tjerë, për një
dekadë rresht e luftuan me nuska (hajmali) sëmundjen serbe
në Kosovë. Në vend të shtetit të mirëfilltë,
ata u frynin pa përtesë vezëve të institucioneve
fiktive, të cilat dalë-ngadalë përpak e mbytën
pacientin. Falë këtyre doktorëve, Kosova u bë
dhe vazhdon të jetë dhe sot pacient i hallakatur, që
mbahet me gjilpëra e kërcënohet vazhdimisht nga konvelescenca
serbe.
Falë
këtyre doktorëve kuadro, në hospitalin që ne
shqiptarët pafytyrësisht e quajmë politikë janë
futur e po bëjnë karrierë një staf i ri shamanësh,
që sdinë tjetër veçse si të bëjnë
nuska e si të fryjnë vezë.
Shëmbulli
më taze i këtyre të "rinjve" vje nga Kosova.
Ata mërrolnin vetullat e shtrembëronin buzët pse
parlamentarët serbë e përmendin termin "Kosovo
i Metohija", thuase qenkesh me rëndësi se si e quajnë
Kosovën ata që punojnë natë e ditë që
ajo të jetë Serbi. Ndërkohë që luajnë
Idiotin (me I të madhe të shtypit) kur vje momenti të
legalizohet një universitet paralel serb në Veri të
Kosovës - që në fakt është forma më
konkrete e legalizimit të copëtimit të Kosovës.
Apo tjetra: një grup punëtorësh e jo doktorët
apo akademikët që udhëehqin Parlamentin, zunë
disa serbë duke bartur nga depoja e Kuvendit pjesë shumë
të rëndësishme të arkivit.
(Ma
bëftë Zoti hallall nëse u hëngra hakun, se ndoshta
ata Idiotin se kishin lojë...)
E
drejtuar prej këso farë doktorësh, autoambulanca
shqiptare po nget me sirena e alarm të hapur në drejtim
të kundërt prej krejt botës tjetër, madje llugave
krejt jashtë autostradës. Ndërkohë që mediat
tona, si pubertetlinj të frustruar, vazhdojnë ti
mbllaçitin me respekt pa prarë titujt shkencorë
të doktorëve, duke dëshmuar në këtë
mënyrë se edhe ato vetë vuajnë nga disa sëmundje
jo fort të lehta.
«Politikan
shqiptar» ?
Vet
termi tingëllon kontradiktor, si paradoks logjik. «Politikani
shqiptar» si zeje nuk ekziston, të paktën jo ende.
Por
ekziston - si diagnozë.
|