NUMĖR 64
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Një rrugë e largët sa një ëndërr
BDI premton "Integrim të përshpejtuar"
Dakordim, apo "Qeveri të kurbanit"?
Turpëruesit e Shqipërisë
Çka zgjodhi Qoviçi në Luginë të Preshevës?
Ekstremi i djathtë, apo keqkuptim?
Viktima e re e racizmit grek
 
ARTIKUJ VITI IV - 15 QERSHOR 2002

Tri vjet pas luftës:
EKONOMIA KOSOVARE NË KOMË

Kuptohet që opozitën e zë sikleti kur një kryeministër socialist ia vë syrin projektit nr 1 të kombit shqiptar në shek. XXI. Por megjithatë, duke patur parasysh kollapsin ekonomik të Kosovës, është vërtetë për t'u qajtur me mindil opozita shqiptare, e Sali Berisha, që s'gjejnë dot rrugë tjera për ta afirmuar autoritetin e vet.


Shkruan: Skerdi SIKA

Në një votim të rastit te ballina Koha.net rreth 70 përqind të votuesve vlerësojnë se situata në Kosovë është pak a shumë e keqe. Vetëm 9 përqind mendojnë se situata është "shumë e mirë". Ata që e njohin sadopak Kosovën e dinë se ky rezultat është paksa jokorrekt. Ai sigurisht që është ndikuar nga votat e hedhura prej kosovarëve jashtë vendit që, doemos, e kanë paksa më lehtë ta perceptojnë situatën si "të mirë".

Rezultati te Koha.net njëmend s'është aspak shkencor. Por një sërë hulumtimesh të opinionit, të kryera nga Fakulteti filozofik-sociologjik në Prishtinë, doemos që janë. E ato, aspak çuditërisht, e konfirmojnë këtë bindje. Kosovari i rëndomtë, mëse 2 vjet pas shporrjes së Beogradit prej Kosovës, ndjehet: i zhgënjyer.
Pyesni pse?

Paj, që të përgjigjemi me ato fjalë që Bill Klintoni i vuri në tryezë ditën e parë të kryetarllëkut të vet: "Economy you stupid, economy!"

Problemi i kosovarëve sot, tri vjet pas ndërhyrjes së botës, është thjesht se liria s'ta mbushka barkun. Kosovarët sot jo që kanë ekonomi të keqe, po se s'kanë ekonomi fare. Ndërmarrësi kosovar prodhon pak, kryesisht sa për ta mbuluar minimumin e nevojave familjare. Atë pak mbivlerë që mund ta shesë, e shet në një treg të ngushtë lokal, në rastin më të keq te dera e oborrit, e në rastin më të mirë te dyqani disa metra më largë. Konkluza: Mëse 2 vjet pas hyrjes së botës në Kosovë, tregu kosovar i ka lënë lamtumirën botës e është kthyer në Mesjetën e errët.

Papunësi e varfëri rekorde

Ju tingëllon si propagandë dashakeqe serbe? Kruani pak kokën! Në një raport të Bankës Botërore të botuar vjet vlerësohet se Kosova ka papunësi prej mëse 60 përqind. Por ky raport i ka irrituar përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, që ngulin këmbë se papunësia është minimumi 10 përqind më e lartë, pra diku rreth 70 përqind. Për atë që ka nevojë t'ia vizatojmë domethënien, papunësia në Kosovë është më e larta e regjistruar në tërë botën. Ajo ia kalon me pashë edhe papunësisë në Etiopi, që zyrtarisht e zë vendin nr 1 në botë me papunësi të regjistruar mbi 58 përqind.

Raporti i BB-së vlerëson, më tej, se rreth 15-20 përqind të popullsisë së Kosovës jetojnë nën minimumin e ekzistencës, minimum ky që enkas për Kosovës është vënë në nivelin skandaloz prej 8 dollarësh amerikanë në muaj. Sigurisht që ky farë "minimumi" nuk vlen për shkruesit e raportit, por ai në fakt nuk është vendosur aq ultë për asnjë vend tjetër të Ballkanit: sa për krahasim le të përmendim, që "minimumi i ekzistencës" për Serbinë është vënë diku rreth 5 herë, e për Shqipërinë rreth 3 herë më lartë.

E megjithatë, përkundër kësaj: 10-15 përqind të kosovarëve jetojnë NËN (!) "minimumin e ekzistencës".

Shkaqet janë të shumta. I pari shkak është plaçkitja sistematike serbe që i është bërë Kosovës gjatë mëse 10 vjetëve. Kushdo që e anashkalon këtë fakt, luan strucin. P.sh. në Gjakovën e vitit 1989, 22.000 burra e gra venin në punë çdo mëngjes; në vitin 2001, dy vjet pas ndërhyrjes së botës në Kosovë, kjo shifër kish ngecur ende në nivelin mizerje rreth 4.000 vetë, krejt kjo sipas shifrave të administratës ndërkombëtare. Industritë ishin shkulur me rrënjë prej serbëve para dhe gjatë largimit të tyre prej Kosovës. Artikullshkruesi, i cili vajti në Gjakovë për vizitë në vitin 2000, pa me sytë e vet se si në industinë vendore të tekstilit kishin mbetur vetëm muret. Në dyshemetë e uzinave shihej qartë vendi se ku kishin qëndruar maqinat, para se të shkuleshin e ngarkoheshin nëpër kamionë prej serbëve. E njëjta pamje rrëqethëse i ka takuar shqiptarët gjithandej Kosovës me të kthyer prej holokaustit të tyre më 1999.

Kapital jo, sindikata po

E dyta, Kosova vuan, vuan, vuan tmerrësisht prej mungesës së kapitalit. Kapitali vendas nuk mjafton as për së largëti, madje as sa për ta bërë ndonjë hap të parë shqepan drejt konsolidimit ekonomik. Kosova ishte qysh para luftës regjioni më i varfër i ish-Jugosllavisë, e lufta s'do mend se e ka varfëruar edhe më. Ai pak kapital regjional që ndoshta ekziston diku në Ballkan, te Kosova shikon vetëm probleme e asnjë përparësi. E në anën tjetër, imazhi i trazuar i regjionit në përgjithësi, por edhe ai i Kosovës e i shqiptarëve në veçanti, s'të lë të shpresosh se një Microsoft a një Sony përvëlohet nga dëshira për të investuar në Kosovë.

E treta, Kosova s'ka mundur ta heq ende lakun politik prej fytit. Asnjeri s'e di sot statusin e ardhshëm të Kosovës, çfarë do të thotë rrjedhimisht se asnjeri s'mund ta përllogaritë as statusin e pronës së vet ekonomike këtu pas, ta zëmë, dhjetë vjetësh. Si të mos mjaftonte kjo, Kosova vështrohet herë me ftohtësi, e herë me revanshizëm e armiqësi përvëluese prej fqinjve të vet të parë. Ideja e Kosovës së pavarur në Serbi perceptohet si fyerje në baza nacionale, në IRJM (Maqedoni) si makth, në Mal të Zi si shkas për drojë, e në Shqipëri si hu politik për ta thyer në kurriz të oponentit. E askush, pos idealistëve më të flaktë, sot për sot as që e mendon, e jo më ta thotë, fjalën "pavarësi". Po çfarë pavarësie more, kur njerëzit varen prej botës për bukën e gojës?!

E katërta, Kosova ka probleme të mprehta, në daçi besoni e në daçi jo, me sindikatat e veta. Në formën e vet të deritanishme, sindikatat në Kosovë janë mbetja më shterpe e (a)kulturës së punës "made in Yugoslavia". Krerët e sindikatave kosovare thjesht parazitojnë në kurriz të anëtarëve të vet, pa u ofruar atyre as shtytje, as ide, as alternativa konkrete. E njoh mirë Kosovën dhe kam ndejtur me plot kosovarë. Shumicën i kam pyetur me kurreshtje për këtë punë. Asnjë - as edhe një i vetëm sa për be! - s'ka patur vet rast, e as ka dëgjuar prej dikujt tjetër, t'i jetë ofruar ndihmë sindikale në momentin e zorit. Mungesën e alternativave, sindaktat e kanë kompenzuar tradicionalisht me protesta proletare shesheve e rrugëve, mundësisht sa më afër qendrës së qytetit.

Sindikatat aborte të Kosovës janë sot problemi nr 1 për cilindo ndërmarrës privat që mendon ta fitojë ndonjë qindarkë duke investuar në Kosovë. Do ta blesh hise në një punishte mobiljesh, që është kalbur nën dry për 10 vjetët e fundit? Llogarit automatikisht në protestat e sindikatës, sapo të binden se ti s'mundesh a s'dëshiron t'i punësosh tërë ata që kanë pirë ndonjëherë duhan në oborr të uzinës. Do ta pushosh punën në një pjesë të veprimtarisë, për ta mbajtur më këmbë pjesën më vitale? Llogarit se sindikata do të të trokasë në derë - jo, do të ta thyejë derën, më mirë; krerëve popullistë të sindikatave kosovare aq u bën pse ti më vonë dot'i qesësh në rrugë të gjithë, mjaft që ata t'i qethin anëtarët edhe një vit.

Dështim i bashkësisë ndërkombëtare

Ka edhe probleme tjera, që në kombinim e rëndojnë Kosovën edhe më. Banka Botërore shkruan në raportin e vet se diskrepanca në arsim mes burrave e grave në Kosovë dhe në përgjithësi fryma patriarkale këtu është "pengesë ekonomike". Në një shoqëri moderne, gjysma e shoqërisë s'bën të rri sus. Por njeriu pa shkollë, njeriu që ka të drejta të kufizuara si individ, si familjar e si pjesëtar i një shoqërie, s'ka besim ta rrokë fatin në duart e veta: e ky hap është parakusht i ekonomisë së tregut. Probleme tjera janë edhe ligështia e shtetit ligjor dhe kriminaliteti i organizuar. Ato varen prej njëra-tjetrës e rrjedhin prej një mungese të alternativave, por, në vijim, bëhen pengesë kundër tërë alternativave tjera: çdo sistem, edhe ai i krimit, kujdes parësor e ka mbijetimin dhe reprodukimin e vet.

Suma sumarum, Kosova ndodhet në kollaps total ekonomik. Ajo gjëllinë vetëm falë infuzionit ndërkombëtar, që tash dy vjet s'ka luajtur vend prej niveleve të para humanitare. Punëdhënësi më i madh i Kosovës është administrata ndërkombëtare, që punëson njerëz në lëmi joproduktive, si përkthyes, rojtarë dhe nëpunës. Sa për krahasim, xhelati i Kosovës, Serbia, pranon tash një vit ndihma astronomike, totali rreth 6 herë më të larta se Kosova, me qëllim "ristrukturimin ekonomik".

Me këso trendesh, Kosova jo që s'i afrohet pavarësisë, Evropës, a farë objektivash tjera fisnike, por rrezikon një ditë, kur të lodhen ndërkombëtarët nga turizmi ushtarak në Ballkan, t'i vete gjunjazi Beogradit që ta marrë nën sqetull sërish.

Ky nuk është dështim i kosovarëve, nëse dikush më ka keqkuptuar deri këtu. Po dështim i bashkësisë ndërkombëtare, që e qeveris Kosovën, e që na e ka premtuar solemnisht sa e sa herë këndelljen e Kosovës: edhe këndelljen ekonomike të saj.

Por nëse shqiptarët s'kanë aq shumë dorë në incitamentin e krijuar (e pakta s'kanë dorë më së shumti), kjo s'do të thotë që ata s'kanë dorë në ndërrimin e tij.

Pako urgjente

Kosovës i duhet urgjentisht një pako e masave socioekonomike, që ta nxjerrë atë nga shtrati spitalor i ndihmave humanitare. Fillimisht, Kosovës i duhet tri sende: stabilitet, stabilitet, stabilitet. Nëse duam që një i huaj ta çojë mendjen të fitojë një qindarkë duke investuar në Kosovë, atëherë duhet lënë ligjin e xhunglës. Grindjet politike e sociale duhet zgjidhur rreth tryezave, e jo në sheshe.

Në këtë mes hyn edhe pacifikimi i "sindikatave vetqeverisëse" të Kosovës. Dikush duhet t'u shkul veshët, e t'u thotë që t'i trusin tulet për ca kohë; e asnjë institucion s'është më i përshtatshëm për këtë punë, se sa Qeveria e Kosovës (le ta shkruajmë me Q të madhe të shtypit, ashtu si kanë qejf kosovarët). Sindikatat s'kanë pse protestojnë rrugëve (?) për Trepçën e për të a.q. "gjigantët" e Kosovës, meqë e vetmja gjë gjigantike me ta është vëllimi i kollapsit të tyre. Kur Britania e Madhe, me buxhetet e veta astronomike vjetore, i lë të falimentojnë gjigantët e vet minerarë, ç'do të bëjë Kosova e shqyer e pa një qindarkë në xhep?

(Kjo puna e "gjigantëve" është një ndër fejton idiotik, që mund ta ndjekësh me intervale të rregullta në mediat kosovare. Disa qarqe kosovare, më në krye sindikatat, e kanë gjetur me mend ta politizojnë punën, duke e akuzuar UNMIK-un se dashka "ta sabotojë" ekonominë kosovare. Të vërtetën e dukshme, se me kollapsin e ish-Jugosllavisë ka pësuar kollaps edhe modeli struktural që i mbante këta "gjigantë", s'guxon ta zë në gojë asnjeri, meqë ajo s'është politikisht korrekte. Paj, djalli ta marrë: UNMIK-u vë dorë arbitrarisht mbi 60 përqind të buxhetit të Kosovës - a ia merr mendja kujt seriozisht se UNMIK-u s'do ta bënte tip-top Trepçën sikur ta kish qoftë edhe një fije shpresë se mos po i sjellë fitim?)

Në vazhdim, Kosovës i duhet të sigurojë kapital të freskët. Qeveria e Kosovës duhet të prejë ligje që e ndëshkojnë "kapitalin e vdekur" vendor, e që e promovojnë qarkullimin e tij. Modeli mund të merret prej sistemeve taksative perëndimore, p.sh. në Gjermani, në Britani, a në Suedi. Ai që palon para në bankë duhet detyruar të paguajë taksë në shumat e kursyera, kurse ai që i fut paratë në biznes duhet liruar sa më shumë prej taksave (por jo krejt, meqë kjo e gërryen që në start kulturën e pagimit të taksave).

Për sa i përket kapitalit të huaj, nëse Microsoft a Sony investojnë në Kosovë, atëherë mund të gëzohemi që kemi fituar në llotari. Por ndërkohë, Kosova duhet ta thith edhe kapitalin regjional. Në ekonomi nuk përmendet kot togfjalëshi "bussiness as usual": biznesi mundet e duhet patjetër të endet gjithmonë e me të gjitha vendet e regjionit. P.sh., që ta themi fjalën e mbramë më së pari, edhe me Serbinë.

”Kapitalistë të të gjitha vendeve…”

Shqiptarët kanë arsye ta shikojnë me mosbesim çdo "investim" të qeverisë serbe në Kosovë, për sa kohë që ajo përbëhet prej nacionalistëve, revizionistëve të historisë, e revanshistëve. Por në Serbi, në Mal të Zi, në IRJM (Maqedoni) e në Bullgari ka edhe ndërmarrës privatë, parave të të cilëve s'u vjen era. Kapitalizmi në këtë drejtim është shumë demokratik, meqë nuk njeh kombe e fe: "Kapitalistë të të gjitha vendeve, bashkohuni!". Marksi i shkretë le të përpëlitet në varr prej sikletit, po bash kapitalizmi, e jo komunizmi, është dëshmuar si shansi i vetëm i paqes në botë. E për Kosovën, kapitalizmi i mirëfilltë është, njëherit, edhe shansi i vetëm për ta shijuar pavarësinë.

Një tjetër shans historik që i ofrohet Kosovës nga jashtë është i a.q. Korridori VIII, më konkretisht ndërtimi i kryeudhës (autostradës) Durrës-Kukës-Prizren. Kryeministri socialist Pandeli Majko, vëllai i të cilit mori nuse në Kosovë menjëherë pas luftës më 1999, ka kërkuar që shteti të ngre "taksë kombëtare" për sendërtimin e Korridorit VIII. Por Shqipëria s'do të ishte Shqipëri, sikur politikanët të mos grindeshin edhe për gjëra të kthjellta si loti. Nisma e kryeministrit Majko është pushkatuar verbalisht prej liderit të opozitës Sali Berisha, që i ka bërë të fala kryeministrit t'i sigurojë të hollat "nga buxheti i shtetit"; në nxitim e sipër, Berisha ha harruar të përmendë se ku u dashka cenuar buxhetin e shtetit, te pensionet, rrogat e sektorit publik, shëndetësia, apo arsimi?

Kuptohet që opozitën e zë sikleti kur një kryeministër socialist ia vë syrin projektit nr 1 të kombit shqiptar në shek. XXI. Por megjithatë, duke patur parasysh kollapsin ekonomik të Kosovës, është vërtetë për t'u qajtur me mindil opozita shqiptare, e Sali Berisha, që s'gjejnë dot rrugë tjera për ta afirmuar autoritetin e vet.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:30
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË