NUMĖR 64
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Një rrugë e largët sa një ëndërr
BDI premton "Integrim të përshpejtuar"
Dakordim, apo "Qeveri të kurbanit"?
Turpëruesit e Shqipërisë
Ekonomia e Kosovës në komë
Ekstremi i djathtë, apo keqkuptim?
Viktima e re e racizmit grek
 
ARTIKUJ VITI IV - 15 QERSHOR 2002

Një vit me ”Pax Serbiana”:
ÇKA ZGJODHI QOVIÇI NE LUGINË TË PRESHEVËS?

Shkruan: Malë BERISHA

Nuk ka vend a qytet në botë ku ka vajtur ministri serb Nebojsha Çoviç, e ku s’ka trumpetuar se "të gjitha krizat në Ballkan duhet zgjidhur sipas modelit të Luginës së Preshevës". Kjo ”zgjidhje” e ka veshur atë me prestigj ndërkombëtar, si një pëllumb të paqes në një zonë të trazuar.

Por e vërteta e hidhur është se në Luginë të Preshevës jo që s’është zgjidhur, por është lidhur nyje edhe më tej një status quo e tmerrshme. Pakënaqësia ndër popullatën shqiptare është e madhe, ndërsa te rinia mbisudon një frustim i pamatshëm.

Përmes manovrimeve të veta bizantine, Çoviçi arriti që regjimin e ri serb ta parqes si paqësor. Suksesi i tij më i madh është se ndër të gjitha tokat shqiptare ai eliminoi nga skena ish- luftëtëtarët e UÇPMB-së. Sot, vetëm në Luginë të Preshevës ish-guerilja shqiptare bredh rrugëve e pashpresë për të ardhmen e vet!

Dy fytyrat e Çoviçit

Ndërsa padroni i tij i vjetër, Millosheviçi, hypi në pushtet duke u shërbyer me Kosovën, për Çoviçin mund të thuhet se u ngjit shkallëve të pushtetit duke u shërbyer me krizën në Luginë të Preshevës. Në vizitën e tij të parë në Preshevë në nëntor të vitit 2000, pas takimit me liderët politikë shqiptarë këtu, kur UÇPMB-ja e kish zënë Grykën e Konçulit, ai deklaroi: "Për daljen e çunave në mal fajtor është pushteti i Millosheviqit. Ata janë qytetar të këtij shteti."

Por më vonë, në platformën e tij për zgjidhjen e krizës, ai për guerilën shqiptare do të përdorë ekskluzivisht termin ”terroristët shqiptarë”!

Lufta do të mbarojë me eliminimin e komandanëtve të UÇPMB-së. Ridvan Qazimi, alias Komandant Leshi, do të vritet në një pusi të planifikuar prej Çoviçit e policëve të tij. Pas vrasjes së kryenegociatorit shqiptar, Çoviçi do të derdh lotë krokodili: "Leshi ishte më konstruktivi gjatë bisedimeve. Mjerisht, atë ditë paska qenë në vend krejt të gabuar".

Vrasja e Leshit ishte sinjali i parë se ç’e paska ndërmend të bëjë Nebojsha Çoviçi pas arritjes së ”marëveshjes” më shqiptarët.

Mashtrimet e paqes

Që prej asaj dite e këtej, zhgënjimet kanë ndjekur njëri-tjetrin. Njëra prej cështjeve që qe menduar të zgjidhet urgjentisht qe cështja e diplomave të studentëve shqiptarë nga universiteti i Prishtinës. Ato diploma duhet të pranohen nga shteti serb. Nebojsha Çoviç deklaron në Serbi e nëpër botë se ky problem qenka zgjidhur. Por e vërteta është se, deri tani, në mbarë Luginë e Preshevës janë pranuar vetëm dy diploma në komunë të Bujanocit!

Projekti i vetëm i përbashkët mes ndërkombëtarëve, serbëve e shqiptarëve, ai i policisë shumëkombëshe, ka pësuar fiasko të ngjashme. Edhe këtu Çoviçi ka arritur të shesë dushk për gogla: policia multietnike është ende me shumicë dërmuese serbe, ndonëse popullsia e kësaj treve ka shumicë shqiptare.

Naser Haziri, përfaqësues në Komisionin për polici shumëkombëshe, s’e fsheh dot zhgënjimin.

"-Serbët janë të privelegjuar, numri i tyre është tejkaluar. P.sh. në komunë të Bujanocit qe planifikuar të pranohen 118 policë, prej tyre 59 serbë. Ata sot janë 88! Në Medvegjë qe planifikuar që të pranohen 37 shqiptarë, e janë pranuar vetëm 2".

Gjatë negociatave të paqes, një pikë e veçantë ankese qe okupimi që u bënte ushtria serbe pronave e objekteve civile shqiptare. Por Çoviçi, koshient se propaganda e tij e gënjen botën por jo shqiptarët, e ka shtyrë disa herë me radhë afatin për evakuim të ushtrisë.

Kriminelët e luftës e udhëheqin paqen

Kuptohet vetvetiu që tërë këto makinacione Çoviçi s’do t’i bënte filli vetëm. Ai i ka lënë zgjuarësisht barinjtë e vjetër që ta ruajnë rendin e qetësinë në vathin e pacifikuar shqiptar. Në Preshevë dhe Bujanoc janë ende në pushtet kuadrot tradicionale shqiptare të këtyre trevave. Kryetarët e këtyre komunave janë po ata individë që e luajtën me vite e përultësisht rolin e kujdestarit të klasës për Shefin, Millosheviçin.

Njëherit, nëpër Preshevë enden demonstrativisht ata serbë që gjatë bombardimeve të NATO-s dogjën Karadakun e Preshevës, duke vrarë e masakruar 11 shqiptarë. Nëpër funksione krekosen ende plaçkitësit e shqiptarëve; tani ku u ka ikur droja prej plumbit, ata sillen edhe më nënçmueshëm se sa më parë

Në anën tjetër, Çoviçi në mënyrë perfide i ka neutralizuar ish-luftëtarët shqiptarë. Ndonëse vet s’ka pse të qëndrojë më në Luginë të Preshevës, atij nuk i shpëton imtësi pa ditur. Njëra prej levave me të cilët ai tani manevron është amnestia e premtuar për 35 luftëtarë të UÇPMB-së, në mesin e tyre edhe disa ish-komandantë. Çoviçi, thjesht, sot Luginën e Preshevës e ka në xhep të sahatit!

E, ai xhep është shumë më i pistë se sa duket. Se çka ka zgjidhur Çoviçi në Luginë të Preshevës mund të dëshmojë edhe familja e shqiptarit të kindapuar Nebi Nuhiut, për fatin e të cilit nuk dihet ende tash e sa kohë. Ndërsa Çoviçi ka deklaruar se "dihen fort mirë kryerësit e kësaj vepre", familja nuk e di ende se a është gjallë më i dashuri i tyre apo jo.

Natyrisht, Çoviçi nuk është i vetmi ”dyfytyrësh demokratik” në Serbi. Përkundrazi, soji i tij janë norma e regjimit aktual ”demokratik” në Beograd. Momçillo Perishiç, ish-gjenerali ”neo-disident”, i cili sot pohon se qënkesh grindur gjithmonë fytafyt me krimnelin Millosheviq, këtyre ditëve është shprehur kështu për shqiptarët: "Nuk jam racist, por duhet të them se populli shqiptar nuk është i aftë të jetojë me cilndo popull të civilizuar". Kryetari i Serbisë, ”moderni” Zoran Gjingjiç, mendon pak më ndryshe: "Shqiptarët mund të hyjnë në Europë vetëm nëpërmes Serbisë. Kjo është determinantë gjeografike, ata kanë nevojë për ne". Ndërsa Kryetari i Jugosllavisë, Vojisllav Koshtunica, e sendërton idealin e vet të ”fqinjësisë së mirë” duke e quajtur Shqipërinë botërisht "e sëmura e Ballkanit".


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:30
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË