ZGJEDHJET
SERBE:
NACIONALISTËT KUNDËR NACIONALISTËVE
Shkruan:
Malë BERISHA
Ndoshta
për herë të parë në histori të Serbisë,
për titullin e presidentit luftuan një teknokrat e një
nacional-romantik. Miroljub Llabus është eskpert i ekonomisë,
por shtrohet pyetja se a ishte ai i gatshëm që të
lirohet nga Kosova e nga Mali i Zi, e t'u qasej krimeve serbe në
mënyrë më të pranueshme për fqinjët
e tyre. Në anën tjetër ndodhej Koshtunica, tanimë
vazhdues i haptë i politikës ekspanzioniste serbe, me
romantikën nacionale dhe ikonografine tipike serbe. Ai e ka
ende rastin që të zgjidhet president i Serbisë, e
njëherit edhe më shpejt ta shtyjë Malin e Zi drejt
pavarësisë, Sanxhakun drejt luftës, ndërsa shqiptarët
e Luginës së Preshevës drejt Kosovës.
Shqiptarët
ndihmojnë - Sheshelin!
Disa
prej liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës,
kur ishte atje gjendje lufte, e quanin Çoviçin "profet",
meqë ai, sipas tyre, i paskësh shpëtuar shqiptarët
nga e "keqja e madhe". Detaji i bezdisshëm, se atë
drojë e kish hequr qëmoti lufta e UÇK-së dhe
prania e NATO-s në Kosovë, atyre s'u interesonte. Janë
shi këta "politikanë", të cilët luftëtarët
e UÇPMB-së të ardhur prej Kosovës për
të luftuar në këtë tokë shqiptare i quanin
"jabanxhi" - shqip "ardhës", "mërgimtarë"!
Tani,
edhe "paria shqiptare" këtu është bindur
se shqiptarët s'kanë për të pasur kurrë
për profet një serb. Shoku i tyre Çoviçi
është vënë krejtësisht në anën
e nacionalistit Koshtunica, e bën propagandë zgjedhore
duke advokatuar për "Kthimin e Madh të Serbisë",
lexo: njëfarë marshi të opingave serbe drejt Luginës
së Preshevës e ca më tej, drejt Kosovës. Se
çka do të thoshte një marsh i tillë neonazist
për Luginën e Preshevës, ku varrët e luftës
ende kullojnë gjak, s'ka nevojë të thuhet. Ky marsh
i ka trembur edhe parinë shqiptare, e cila ka bukur fort se
ç'të humbas nëse Presheva invadohet prej turmave
shkatërrimtare të katundarëve serbë.
Në
anën tjetër, "dashuria e parë s'harrohet",
andaj jaranët shqiptarë të Çoviçit
kanë vendosur të mos kalojnë kurrën e kurrës
as me oponentët e tij. Në Preshevë prek kandidatëve
presidencial ka qëndruar vetëm moderati Miroljub Llabus,
që kish planifikuar të bëntë një sheti
bulevardit të qytetit me prefektin Riza Halimi. Por duket se
këtij pas Çoviçit s'ia mbush më askush syrin,
andaj tërë ai farë "takimi" i trumpetuar
publikisht nisi e bitisi me një kafe.
Kësisoj,
mund të thuhet se prijësit qorrë të shqiptarëve
në Luginën e Preshevës i ndihmuan Koshtunicës
ta nxjerrë prej lojës Llabusin, i cili doli se s'qenka
i zoti t'i ofrojë "rebelat shqiptarë". Në
vazhdim, ata de facto i ndihmuan edhe radikalit Voisllav Sheshel,
i cili tashti, me margjinalizmin e Llabusit, ka mbetur kundërshtari
i vetëm i Koshtunicës. Voisllav Shesheli ka premtuar se,
nëse zgjedhet president, do t'u kthejë të mirën
liderëve shqiptarë përnjëherë, duke anuluar
komplet tërë "lodrat e Çoviçit"
për "demokraci lokale", e duke i shporrur me policë
liderët shqiptarë nga kuvendet komunale.
Nacionalistë
qorrë vendosin agjendën
Përderisa
elektorati serb edhe më tutje mbetet i ngarkuar me ikonografinë
tipike te mitingjeve të "revolucionit të jogurtëve"
nga mbarimi i viteve 1980, elektorati shqiptar i mbetet besnik "nacionalistave"
á-là Riza Halimi, që vazhdojnë të premtojnë
përmirësime të sigurta "Malo morgen", me
vetëm një sakrificë minimale, veç një
kokërr vote të vockël për liderin aktual.
Kështu,
pra, agjenda elektorale në Serbi e në Luginën e Preshevës
mund të thuhet se drejtohet prej devizës "Nacionalistë
qorrë të të gjitha vendeve, bashkohuni". Mundësisht
mund të vlerësojmë ndoshta se shqiptarët, më
tepër prej padijes se sa me dëshirë, janë duke
ofruar një opcion ca më të pranueshëm se sa
ai që e ofron nacionalizmi brutal serb i Koshtunicës a,
ruana Zot, ai i Sheshelit. Kjo gjë vlen edhe për politikanët
tjerë serbë, të cilët vitet e fundit shetisin
prej një pozite ekstreme në tjetrën, nga Millosheviqi
e deri te krimineli Arkan.
|