NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
EDITORIAL VITI IV - 1 NËNTOR 2002

"SHIFTARI MADE IN SERBIA"

Shkruan: Xhafer SHATRI

Kur blejmë diçka, e shohim se shumica e mallërave e ka të shënuar dikund prodhuesin, i cili shpeshherë identifikohet me emrin e vendit: Made in Germany, Made in Switzerland, Made in China. Por është një prodhim i veçantë, shumë më subtil, me emrin njeri e me kombësi asksidentalisht shqiptare, i cili shpeshherë ka një "markë" që shihet vështirë, por nëse i hap sytë mirë, mund t'ia lexosh në mos në ballë sigurisht në veprime: Shiftar Made in Serbia.

Duke qenë krejtësisht dhe kaherë i liruar nga paranoja ballkanike e komplotit më duhet të them që në fillesë se ka kohë që më sëmbon një dyshim përmbytës për një veprimtari të veçantë të shtetit serb: ajo e krijimit jo të Njeriut të Ri, po të Shqiptarit të Ri, kuptohet sipas nevojave dhe kutit të Serbisë.

Le të nisemi nga një logjikë krejt e thjeshtë. Pak kund gjen njeriu teori të përpunuara publikisht për ndryshimin e faqes së dheut, apo thënë më mirë të përbërjes etnike të banorëve të tij, sikur gjen në Serbi. Shteti serb për të dominuar këto hapësira ka përdorir një arsenal jo vetëm ushtarak e policor, por edhe shoqëror, pra politik, socioekonomik e kulturor.

Kjo është një inxhinieri sociale e stisur deri në detaje, e me objektive konkrete: Avancimin e mediokriteteve në radhët e oponentit, e përmbysjen e sistemit të tij të vlerave, me synim final sundimin e tij. Janë këto teknika të njohura të sundimit, të përmendura qysh nga antika. Ato u kanë mundësuar historikisht regjimeve dorëforta që t'i kontrollojnë vartësit e vet edhe mentalisht, që është alfa dhe omega e çdo dominimi. Përmes tyre, burrat dhe gratë më të ndershme janë leqitur si të përdalë, e të pamoralshmit janë brohoritur si shenjtorë; patrioti është damkosur si tradhëtar dhe anasjelltas, tradhëtari është nderuar si patriot.

Gjithë procesin se si bëhet e si funksionon kjo fabrikë, më duhet të pranoj, nuk e di. Por duhet të ketë qenë diçka si Pallati i Ëndërrave. Një institucion sekret, gjysmësekret, apo i strukur pavërejtshëm shi në palët e publicitetit, që ka koordinuar tërësinë e aksioneve të shtetit serb në Kosovë: spektrin e masave ndëshkuese, thellimin e skamjes kolektive, ngulfatjen e arsimit, shkencës, kulturës, përpunimin e opinionit, shpërlarjen e truve. Dhe jam krejt i sigurt se ky institucion vazhdon punën, duke iu përshtatur rrethanave të reja.

Përmbarues të drejtpërdrejtë të kësaj veprimtarie duhet të jenë pjesëtarët më subtilë të Kolonës së Pestë, për besueshmërinë e të cilëve krejt mjedisi (lagjja, shkolla, katedra, institucioni, ndërmarrja, besimtarët) do t'i fusnin duart në zjarr. Kurse materiali që përdoret në zejen e tyre janë njerëzit e pavendosur, që bëhen me dije ose pa dije viktima e përçues të kësaj veprimtarie.

Ky "Njeri i Ri" sipas kutit të okupatorit, që e gjen me bollëk në të gjitha sferat e shoqërisë kosovare, është prodhim i fabrikës së tullave ku piqen çerpiqet njerëzore, me shenjën e qartë të markës: SHIFTAR MADE IN SERBIA.

Kjo specie njihet që larg nga disa tipare :

" e ka patjetër një diplomë universitare jugosllave, si surrogat të dijes e të kulturës;
" beson në fjalët e urta popullore: "punën e nesërme mos e bëj sot"; "rri para qeve"; "mos lexo tepër se të bijnë flokët e bëhesh budallë"; "më mirë një euro në xhep, se dhjetë në komunë";
" kur e kaplon zjarri shtëpinë, bërtet në kupë të qiellit për rrezikun që paraqet përmbytja;
" kur sundon robëria, krenohet se po ngadhnjen Shpirti i Lirë dhe Urtia;
" kur kërkohet angazhim, e fton popullin ta ruajë qetësinë, duke premtuar se ra copë duke punuar për t'u zgjidhur çështja; ose ta ruajë qetësinë, se këto probleme janë të vogla në krahasim me problemet e elitës; ose, kur të del katastrofa haptazi në shesh, ta ruajë qetësinë, se ne të gjithë jemi të vegjël për t'i zgjidhur këto probleme të mëdha.
" kur dikush e sfidon këtë psikomurtajë, atëherë ligësia e elitës shkëlqen me të gjitha ngjyrat e ylberit: është ngutaq, s'është koha, është budalla, e ka nënën kurvë, është provokator, kohët e fundit ka luajtur menç, s'ka mbetur kush pa i hypë, ruani se është i kuq, ka lidhje me Rusinë…

Askush si specia Shiftar Made in Serbia nuk di t'i djegë heretikët, por jo në turrë të druve, e cila megjithatë shkymet një ditë: po në furrën morale, ku heretiku s'digjet vetëm deri në palcë, por përcëllohet përjetë jo vetëm ideja dhe emri i tij, por dhe kujtesa për të. Sidomos kjo e fundit.

Elita e kësaj specie janë si minjtë. Ata të parët e braktisin anijen e përmbytur. Dhe nëse çdo gjë mbaron tragjikisht; atëhere ata çirren me gojën plot: ne e dinim fort mirë, ne u thonim, ata s'na dëgjonin, s'i mëshohet murit me krye!

Por nëse ndërron situata, atëherë thonë: jemi lodhur e rraskapitur në përpjekje, kemi flijuar gjithçka në frontin më të zorshëm, atë të politikës së hooollë (për dallim prej frontit të lehtë të istikameve), e kemi nevojë për pushim të gjatë; ky është popull mosmirënjohës, sepse nuk po na shpërblen si duhet për sakrificat dhe mundin.

Dora që u lëviz penjtë, i mundëson species Shiftar Made in Serbia akrobaci mbinjerëzore në fushën e politikës. Ata janë, thjesht, Spajdermenë të politikës. Zakonisht ata, pas çdo rrokopuje, i ke gjithnjë shëndoshë si molla, të shlodhur, duke shkundur pluhurin imagjinar prej kostumit, e duke lëmuar frizurën perfekte, të gatshëm për ta zënë në pusi çdo kolltuk të pambrojtur që kalon andej pari. Ata janë mjeshtër të pritave. Prandaj çdo ndryshim ata i gjen pagabueshëm në pozicion të favorshëm ekonomik, politik, kulturor, medial etj.

Për çdonjërin që i ka dy fije mend në krye besoj se është e qartë se nuk do të mund të ndahemi lehtë prej Serbisë. Dhe pengesë kryesore në këtë proces të vështirë do të jetë specia Shiftar Made in Serbia, për faktin e thjeshtë se janë "tanët", se janë njerëz "të besueshëm", "shkollovana me përvojë", e se janë edhe në vende ku u ecën fjala e u punon dora.

Një faktor tjetër është opinioni kosovar, i cili s'është mësuar ende me të liritë e bezdisshme demokratike, për të cilat s'ka luftuar, por të cilat i janë falur me zor prej perëndimorëve. Në fakt ky është një hise opinion, e nëntë hise xhemat, që flakërohet kur njerëz pa edukatë - merreni me mend, ju lutem ! - kërkojnë përgjegjësi prej hoxhallarëve të politikës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:31
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË