| FIKSIONI
I NACIONALIZMIT
Shkruan:
Skerdi SIKA
Nacionalizmi,
thonë, janë memoaret e një kombi; e dihet se memoaret
zakonisht janë shfaqje autoerotike. Të shkruash për
shqiptarin është të shkruash për një kërthi
të lindur vonë e me ndërlikime të mëdha,
i cili s'i ka kaluar ende sëmundjet e foshnjërisë.
Madje, rrëfimi për shqiptarin është kryekëput
rreshtim sëmundjesh foshnjore: një rrëfim i pambaruar
për rrahje, grabitje, shtyrje e zbime andej-këndej, të
kryera kundër jetimit shqiptar, prej njerkave e thjeshtërve
të ligj fqinj. E prapë, shqiptari në memoaret e veta
shfaqet si specie e dëshirueshme, trime dhe e fortë, që
i mishëron cilësitë epërore të njeriut.
Ajo që harron të na spjegojë nacionalizmi është,
natyrisht, se si na qenkan krijuar këto cilësi te shqiptari
i traumatizuar që në lindje, e i keqtrajtuar paprerë
nga i madh e i vogël.
Por
ndoshta një cen i tillë nacionalizmit shqiptar i falet,
meqë është i ri. Më sakt, kombi shqiptar dhe
vetdija e tij, nacionalizmi shqiptar, u formuan më së
voni prej të gjithëve në Ballkan, në mbarim
të shek. XIX. Arsyeja është e thjeshtë. Deri
atëhere, paraardhësit e shqiptarëve s'kishin nevojë
të jenë shqiptarë, e, rrjedhimisht, as nacionalistë
shqiptarë. Ata kishin bërë jetë paqësisht
e të çliruar prej kërcënimeve ekzistenciale
për 500 vjet, si shtetas të perandorisë osmane. Ashtu
paqësisht jetonin edhe paraardhësit e serbëve e grekëve,
sikur edhe të persëve, të arabëve, të hazarave,
të kurdëve, e të dhjetëra-qindra kombeve tjera
që u pollën a u polli, kujt me qejf e kujt me zor, pas
rrëzimit të perandorisë. Ajo që ndofta i dallonte
ca prej fqinjve ballkanas paraardhësit e shqiptarëve ishte
se këta ishin paksa të privilegjuar, pra argatë a
aleatë (zgjedhni cilën të doni) të natyrshëm,
të zellshëm, e relativisht çmimlirë, të
osmanëve.
Ky
është një ndër sekretet publike e tragjikomike
të historiografisë shqiptare. Ai njihet nga pleqtë
tanë, nga popujt fqinj, nga çdo kucë e macë
në tërë botë, dhe kjo është pjesa
publike e komike; por, e kjo është tragjikja, ai s'njihet
- jo, po luftohet me kryeneçësi! - nga aradhat e historianëve
të epokës enveriste. Sepse ata, të fantaksur nga
mësimet ideologjike të enverizmit, kanë shpikur historinë
e "rezistencës 500-vjeçare antiturke". Apo
s'kemi luftuar ne, proletarët e Ballkanit, oburra kundër
imperializmit në të gjitha kohërat - e shqiptarët
më fort se gjithë tjerët, meqë jemi proletarët
më të mirë?
Në
të vërtetë, s'kishte as rezistencë, as 500-vjeçare,
e më së paku antiturke! Sepse, sërish, 500 vjetë
e tëhu më parë s'kishte shqiptarë. Ashtu sikur
nuk kishte as turq, serbë, e grekër, apo francezë,
anglezë, gjermanë a italianë, e pakta jo në
kuptimin modern, nacionalist të fjalës. Dinastia teokratike
e Osmanëve s'u besonte turqve, andaj gjatë tërë
historisë osmane kryeministrat e ministrat ishin gjithnjë
joturq etnikë, mes tyre 42 shqiptarë. Në fakt, kryengritja
e mbramë që arriti ta shtyp perandoria osmane para se
të shpërbëhet, ishte pikërisht një kryengritje
e turkofonëve, pra e paraardhësve të turqve të
sotëm!
Perandori
Dushan, sot ikonë e nacionalizmit serb, mbiquhej "mbret
i serbëve, shqiptarëve, grekëve e bullgarëve",
e nëna e tij ishte joserbe. As ne shqiptarët s'jemi tëlyen
i shkrirë. Gjon Kastrioti i falte manastirit serb Hilandar
fshatra "për shpirt"; Heroi Kombëtar Gjergj
Kastrioti kish nënë një Vojisava, vëlla një
Stanisha e një Reposh, e motër një Marica, e kështu
me radhë.
Të
merremi vesh, ne ballkanasit s'jemi të vetmit që trillojmë
gjepura nacionaliste. Riçard Zemërluani i britanikëve
e kishte frëngjishten gjuhë amtare, njësoj si Frederiku
i gjermanëve, ndërsa Karl i francezëve fliste gjermanisht.
Ec e merre vesh!
E pra,
nëse shkencëtarët anglezë, gjermanë, francezë
e italianë hamenden sot se a janë a jo kombet e tyre,
në kuptimin nacionalist të fjalës, 100 a 200 vjet
të vjetra, ç'kemi ne ballkanasit që i mëshojmë
si kau pelës me nga 400-500 vjet!?
T'i
aplikosh paradigmat e sotme nacionaliste në banorët e
asaj kohe, është njësoj inteligjente si të mundohesh
ta trusësh cilindrin në një vrimë kubike. Historianët
munden, tjerët heqin dorë.
Doemos,
rrënjët e kombit shqiptar janë të vjetra, ndoshta
edhe më të vjetra se sa që dijmë sot. Por etnitetet
shqipfolëse s'do ngatërruar me fenomenin komb shqiptar,
që është relativisht i ri. Nëse jemi të
saktë, pra, shqiptarë s'gjejmë dot para prishjes
së perandorisë osmane. Diferencimi nisi diku kah fundi
i shek XIX, kur fqinjëve tanë u fryu dreqi në vesh
se mund të fitonin përfitime të ndjeshme nëse
quhen diçka tjetër e jo shtetas perandorakë. Më
së voni këtë e kuptuan shqipfolësit, ndofta
meqë atyre iu desh të arrinin vet deri te kjo ide.
Shumëkush
thotë se rilindasit e krijuan nacionalizmin shqiptar. Mua për
vete të gjithë rilindasit s'ma mbushin syrin. Apo ç'donin
ata syresh që kërkonin shtete të përbashkëta
me serbët, me grekërit, me italianët, e me dreqin
e të birin?
Mat
e çmat, mua shqiptari i parë i mirëfilltë
në histori, edhe bukvalisht, më del Hasan Prishtina. Shoqi
s'u fut llugave idealiste, po kur e pa që perandoria mbaroi,
ai vendosi të mendojë si shqiptar pragmatist, të
shkuajë si shqiptar pragmatist, e diku kah mbarimi edhe të
veprojë si shqiptar pragmatist. Sidomos kjo e fundit i jep
bukur shumë poena te unë. Pos bindjeve të mia që
mund të jenë subjektive, pak signifikancë mund të
ketë edhe fakti se ai qe i pari që i organizoi shqiptarët
si forcë luftarake me agjendë të veten. Gjë
që, me sa thonë, pati një efekt bukur pragmatist:
një Shqipëri fringo të re me 28.000 kilometra katrorë.
Sot mund të na duket pak, por një herë e një
mot mjaftonte e tepronte.
Ndoshta
ishte nacionalist edhe Ismail Qemali, meqë u bind disi t'i
binte trup nga Stambolli via Vjenës deri në Vlorë
pa asnjë dëshmi të dashamirësisë së
shqiptarëve, për t'u ngritur atyre një flamur të
harruar prej kohësh? Apo Faik Konica, që me gëzim
nevrik e shkundi pluhurin nga ai flamur?
S'e
di. Dtth, unë e di fort mirë se ç'thonë historianët,
por për vete s'kam vendosur ende. As Qemali e as Konica, sikur
as edhe Theofan Stelian Noli, s'pranuan të rrijnë te pjella
e vet, po parapëlqyen mjedise më të mbara. Ndoshta
diku në zemër u trishtuan, kur panë se ç'kishin
mbarsur?
Them
prapë, s'e di. Por e di se sikur tërë shqiptarët
të kishin mundur të bëjnë si ata, them mundur
se dëshirën s'e vë në dyshim, sot s'do të
kishte shqiptarë në Ballkan.
Kurse
sot për sot, nacionalizmi shqiptar më ngjan si ata alabakët
e Shqipërisë, që e kishin mësyrë Evropën
me veshje, frizura, e mendësi demode. Nacionalizmi shqiptar
është, thjesht, i vonuar tej mase. Që prej LDB e
këtej, po kërkove bashkim nën një komb, një
shtet e një prijës, i bën vetes PR bukur të
mbrapsht, meqë bota ta ngjesin etiketën naziste. E pikërisht
kjo është kërkesa nr 1 e nacionalizmit shqiptar,
pa asnjë ndryshim prej 1912-s e deri sot e kësaj dite,
thuase s'ka ndërruar fare bota rreth e rrotull.
Nacionalizmi
shqiptar ka mbetur ende në fazën fillore "gjak e
tokë", sikur të mos kishte forma tjera për ta
shprehur dinjitetin kombëtar. Me sa kuptoj, ky pikëvështrim
është trashëguar pa ndryshime të mëdha
nga definimi i Faik Konicës, i mbiquajtur shpesh "I Madhi"
për arsye të panjohura prej meje, se kush është
shqiptar, pra "ai [Konica urrente femrat] që është
i rrëzës, i gjakut e i gjuhës shqiptar".
Por
gjaku është kategori e devalvuar, ai qysh në kohën
e Konicës përdorej më tepër si punë tradite
irracionale. Sot s'ka shqiptar të mençur që s'do
të pranonte gjak prej kujtdo në rast nevoje. E mirë
do të bënte, meqë gjaku si ind fizik i trupit të
njeriut s'ka të bëjë gjë fare me kombin: ndryshe,
atje tek qoftë, do ta mbushnim Ballkanin me shqiptarë
të vdekur.
As
imperativi i "rrëzës", pra i themelit (ndhimë
turqisht për atë që s'kupton shqip) s'përmbush
farë kriteri shkencor. Me se ta masim këtë farë
"rrëze", si ta definojmë atë? Gjenetikisht
e biologjikisht nuk shkon, atëhere si? Si kulturë? Po
çobani i shkretë, që s'i ka dy ditë shkollë
e s'e ka lexuar Naimin, nuk është shqiptar? Biles, në
mos e paça krejt gabim, edhe gjyshja ime bënte në
këtë kategori. Apo ç'të quajmë kulturë
tani?
Ajo
e fundit, dimenzioni gjuhësor-hapësinor, është
edhe më interesant. "Gjuhësor-hapësinor"
shkruhet bashkë, meqë argumentet që e përbëjnë
s'e bartin dot veç e veç kungullin e nacionalizmit.
Argumenti gjuhësor s'ofron dot legjitimtet, se s'duam t'i pranojmë
si shqiptarë as minoritarët tanë që mësojnë
shqip, e lëre më studentët nga Afrika etj. Kurse
ai hapësinor është edhe më i koklavitur, meqë
është krejtësisht i paedukatë e i pasjellshëm.
E ç'të bëjnë francezët, ta okupojnë
Belgjikën frankofone tani? Dhe si mendojnë nacionalistët
tanë, se anglezët duhet ta ripushtojnë Amerikën,
apo anasjelltas? Dhe, meqë ra fjala, pse qenkan shqiptarët
atëhere kundër bashkimit të serbëve të
Bosnjes me Serbinë!?
Thuase
tërë shqiptarët paskemi qenë të bashkuar
ndonjëherë, apo se qenka shkruar diku se u dashka patjetër
të bashkohemi dikur!
|