|
Zgjedhjet
në Serbi
SERBËT, PRE E NACIONALIZMIT EKSTREM
Shkruan:
Xhafer SHATRI
Më
24 shtator u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Serbi.
Për rrethin e dytë u kualifikuan ata që mblodhën
më së shumti vota: Vojisllav Koshtunica, president i federatës
serbomalazeze, si dhe Miroljub Labus, zëvendëskryeministër
i saj. Në zgjedhje morën pjesë rreth 56% të
elektoratit serb, përfshirë këtu edhe serbët
e Kosovës, të cilëve UNMIK-u ua mundësoi pjesëmarrjen
në zgjedhjet e Serbisë.
Sipas
rezultateve preliminare më së shumti vota, apo mbi 80%
të votuesve u nga në tre çerek: 31.2% të votuesve
u përcktuan për Koshtunicën, 27.12% për Labusin
dhe 23.22% për Sheshelin. Kusurin e ndanë dështaku
i përhershëm nacionalist, Vuk Drashkoviç, 4.38%,
shoku i Arkanit Borislav Peleviç, 3.94%, artisti Bata Zhivojinoviç
3.32%, si dhe gjenerali Nebojsha Pavkoviç, 2.06%.
Sipas
Qendrës për Zgjedhje të Lira e Demokratike me seli
në Beograd, presidenti aktual Koshtunica është treguar
me ndikim në Beograd, ku ka fituar 38.3% të votave. Ai
ka në dorë edhe Serbinë qendrore, Shumadinë,
ku ka fituar 33.4% të votave. Ndërkaq kundërshtari
i tij kryesor, Miroljub Labus, ka shumicën e votave në
ato mjedise ku ka joserbë: Në Vojvodinë kanë
votuar 38.3% e votuesve për të, ndërsa në Novi
Pazar 85%!
Në
Kosovë kanë marrë pjesë 45.6 përqind e
votuesve serbë. Në enklavat e mbrojtura prej NATO-s, më
së shumti vota, 57.2%,ka marrë nacionalisti ekstrem Vojisllav
Sheshel, armik i përbetuar i NATO-s. Koshtunica mbështetet
prej çerekut të serbëve kosovarë, apo 26%.
Kurse reformatori Labus vetëm 4.4%.
Shesheli
ka fituar edhe votat e serbëve në Luginën e Preshevës.
Në të tri komunat kanë marrë pjesë 47.99%
e votuesve (kryesisht serbët) dhe votat i janë dhënë
në radhë të parë Sheshelit, i cili p.sh. në
Bujanoc ka fituar 53.85% të votave.
Ç'premtonin kandidatët
Koshtunica
fliste për shtet ligjor, por edhe për bashkim me Malin
e Zi e me Republika Srpsken dhe mosheqjen kurrsesi dorë nga
Kosova.
Labusi
gjatë fushatës së vetë u përcaktua për
shtet qytetar, për reforma të thella e për integrim
në Bashkimin Evropian.
Shesheli
u përcaktua, si zakonisht, për Serbinë e Madhe. Ekstremistin
Sheshel e mbështeti nga Sheveningeni i Hagës edhe ish
kryetari jugosllav Slobodan Millosheviçi, i cili e ftoi partinë
e vet socialiste që të votojë për prijësin
e radikalëve serbë.
Rezultati
i këtij rrethi të parë ka zbuluar bukur kthjelltë
se Serbia është ende larg, fort larg nga zhdehja që
e shpresonin europërendimorët prej kohësh.
Ata
që mendonin se gjykatorja e Hagës do të jetë
një dush i ftohtë për mendjen e e mërdhezur
serbe janë mashtruar keq. Këtë e dëshmoi edhe
debati i gjatë publik që u zhvillua në selinë
e revistës beogradase "Veme". Edhe ata që dikur
ishin me gjithë mend kundër barbarive të Milosheviçit
gjatë gjithë viteve 1990, si p.sh. Stojan Ceroviç,
tash janë absolutisht kundër katarzisit serb.
Krimet
e llahtarshme që kryen serbët në Kroaci dhe në
Bosnje, e sidomos ato në Kosovë, sot po i denoncojnë
jo më shumë se 7-8 serbë, të përmendur
me emër në tërë vitet 1990: Sonja Biserko, Natasha
Kandiç, Bogdan Bogdanoviç, Srgja Popoviç, Latinka
Peroviç.
Çka
më tej?
Sipas
të gjitha gjasëve, nëse në zgjedhje marrin pjesë
mbi 50% të elektoratit, atëherë fitues do të
jetë Koshtunica. Për të do të votojnë si
që e votuan kësaj radhe, ashtu dhe votuesit e numërt
të Sheshelit, të Drashkoviçit, të Peleviçit,
si dhe simpatizuesit e Millosheviçit.
Për momentin, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të
jenë të pashmangshme. E në këto zgjedhje, nacionalistët
e Koshtunicës s'kanë si të mos fitojnë, meqë
mbështeten nga opinioni në Serbi dhe nga partitë
e Sheshelit, Peleviçit, Drashkoviçit etj. në
parlamentin a ardhshëm serb. Në opozitë do të
mbeten a do të kalojnë, ndërkaq, të gjithë
ata që kërkojnë dëlirjen e garderobës së
pistë serbe.
S'do
mend se ky konstelacion forcash do të reflektohet në Mal
të Zi, në Vojvodinë e në Sanxhak, por edhe në
Kosovë. Në Mal të Zi pa dyshim që Koshtunica
do t'i mbështes edhe më tej proserbët e koalicionit
"Zajedno za Jugoslaviju". Në Vojvodinë do të
rritet presioni mbi autonomistët, ndërsa lëvizja
autonomiste e boshnjakëve në Sanxhak kërcënohet
nga shtypja definitive.
Edhe
më të rrezikshme janë pasojat për Bosnjen. Gjatë
fushatës zgjedhore, Koshtunica ka thënë troç
se Republika Serbe në Bosnje do të bashkohet me Serbinë.
Fjalët e tij shkaktuan skandal diplomatik të rangut të
parë, e nxitën reagime të irrituara prej Sarajevës
e gjer në Bruksel e Uashington. Por Koshtunica s'i tërheqi
që s'i tërheqi fjalët e veta. Ndonëse ai, dora
në zemër, s'e ka në dorë bash krejt t'i luajë
gurët e megjes si të dojë, megjithatë, ngadhnjimi
i tij në Beograd doemos që është kërcënim
i mprehtë për Bosnjen fqinje.
Në
Kosovë, ngadhnjimi i Koshtunicës dtth automatikisht forcim
i rrymës së ekstremistëve të përkushtuar
për segregacion, apartied e copëtim territorial. Taborri
i tyre do të orvatet forcërisht ta bllokojnë jetën
institucionale në Kosovë, punën e parlamentit e të
qeverisë, e para së gjithash reformat e domosdoshme ekonomike
dhe privatizimin.
Një
mundësi tjetër ekziston, por ajo është e mpleksur
me pikëpyetje. Nëse në rrethin e dytë s'dalin
më shumë se 50% të votuesve, kushtetuta serbomalazeze
thotë se duhet mbajtur zgjedhjet e dyta prej fillimit. Nëse
kjo ndodh përnjëmend, vlerësuesit serbë druajnë
se Sheshelit do t'i ngritet në qiell rejtingu personal, e se
opinioni do të anojë kah zgjidhjet dorëforta të
problemeve të Serbisë.
Se
ç'do të thotë për regjionin një Serbi
me në krye Sheshelin, këtë mendim rrëqethës
s'guxon ta ftillojë gjer në fund asnjeri. Ka mundësi
se Perëndimi në atë rast do të reagonte duke
ia rrudhur dorën Serbisë, gjë që do ta rrafshonte
definitivisht përtoke ekonominë serbe. Por kjo mundësi
për momentin është bukur e turbullt, e tingullon
më tepër si mendim dëshiror.
Perëndimorët
e angazhuar gjer në fyt në Afganistan, e në prag
të luftës me Irakun, s'para duken të disponuar të
kredhen sërish në Ballkan. Një parashenj i keq për
fqinjët e serbëve që mund të vërehet qysh
tani është p.sh. ajo se Perëndimi shtihet sikur forcimi
i Sheshelit të ishte cikërrimë! Dhe cikërrimë
mbase edhe është për ta, kushedi - por jo për
shqiptarët e për fqinjët tjerë të Serbisë.
|