NUMĖR 00
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 QERSHOR 2002

Pas marrëveshjes më të re mes Serbisë dhe Malit të Zi
Shteti që jeton në dializë


Xhafer SHATRI

Më 14 mars 2002, në Beograd, u nënshkrua Marrëveshja për parimet e rirregullimit të marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Malit të Zi. Dëshmitar, apo thënë më mirë arbitër i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ishte përfaqësuesi i Unionit Evropian, Havier Solana.

Kjo marrëveshje u nënshkrua pas bisedimeve të shumta publike e sekrete të përcjella me presione të hapura e konkrete sidomos kundër presidentit malazias, Milo Gjukanoviq.

Vetëm pas nënshkrimit të këtij dokumenti në Beograd, doli në pah qëllimi themelor i serisë së shkrimeve të botuara vitin e kaluar në revistën zagrebase "Nacional", e të cilat njëkohësisht apo edhe paraprakisht botoheshin në të përditshmen e Podgoricës "Dani". Atje presidenti malazias, deri dje benjamin rajonal i Fuqive të Mëdha, akuzohej rëndë për kotrabandë të cigareve dhe për lidhje me krimin e organizuar.

 

Marrëveshja më e re e Serbisë dhe Malit të Zi ka cytur polemika të ashpra në shtypin malazias e deri diku edhe në mediat serbe. Por, për habi, në mediat dhe në qarqet tona politike ka kaluar pa ndonjë jehonë. Natyrisht nëse këtu përjashtojmë "analizat" krejt ad hoc të "analistëve" të ndryshëm, me tituj shkencor ose pa ta, që defilonin në ekrane ose faqe gazetash dhe flisnin për këtë Marrëveshje e për rrjedhojat e saj në të ardhmen e Kosovës, pa e lexuar fare.


Sidoqoftë me këtë Marrëveshje përfundoi së ekzistuari Jugosllavia e katërt, dhe në marrëdhëniet serbo-malaziase fillon një periudhë e re e barazimit të raporteve, por gjithsesi një periudhë e përkohshme me shumë të panjohura, ardhmëria e së cilës do të përsaktësohet me referendum në vitin 2005.


1. Historia

Më 13 korrik 1878 Kongresi i Berlinit pranoi Malin e Zi si shtet.
Në nëntor të vitit 1918, i ashtuquajturi Kuvend i madh popullor i Malit të Zi, një trup i dyshimtë i organizuar nga Serbia, rrëzon nga pushteti mbretin Nikolla Petroviç dhe shpall bashkangjitjen e Malit të Zi Mbretërisë serbo-kroato-sllovene. Ky shtet i gjërë e i gjatë u formua me ndikimin e Fuqive të Mëdha ngadhnjyese në LPB, për t'i vënë digë aspiratave gjermanike në rajon.

Më 6 janar 1929 Aleksandar Karagjorgjeviq shpalli shtetin unitar, Mbretërinë e Jugosllavisë. Në këto dy shtete, nukleus i të cilave ishte Serbia, Mali i Zi nuk përmendet fare as si përbërës nacional, as si përbërës shtetëror.

Në mbledhjen e Dytë të Avnojit, Mali i Zi sërisht fiton shtetësinë, të shprehur përmes statusit të Republikës, në kuadër të shtetit që quhej Federata Demokratike e Jugosllavisë (10 gusht 1945). Ndërkaq më 11 nëntor 1945 shteti merr emër tjetër: Republika Federative Popullore e Jugosllavisë. 18 vjet më vonë, më 7 prill 1963, shteti emërtohet Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe me këtë emër shpartallohet më 1990.

Gjatë ngritjes së Millosheviqit në pushtet krahas udhëheqjes autonomiste të Kosovës, me presione e demonstrata rrëzohen edhe udhëheqja e Vojvodinës dhe ajo e Malit të Zi. Në këtë mënyrë Mali i Zi, "syri i dytë në kokën serbe" si thoshte cinikisht Millosheviqi, humb identitetin shtetëror dhe u kthye në repart rrënues të Serbisë.

Më 1990-1991 katër republika ish-jugosllave dhe Kosova shpallin pavarësinë. Fuqitë e Mëdha ua njohin pavarësinë republikave, të cilat pa vonuar shumë pranohen anëtare të OKB-së. Më 1991, Komisioni i Badinterit konstaton se Jugosllavia nuk ekziston më.

Në vjeshtë të vitit 1991, Miodrag Bullatoviq, aleati besnik i Millosheviçit e kryetari i Malit të Zi, deklaron në Hagë papritur se Mali i Zi mund të bëhet shtet i pavarur. Bullatoviçi ish joshur drejt pavarësisë nga oferta të majme italiane, të planifikuara si trysni kundër Beogradit. Por me të kthyer në shtëpi, atë e thirrin për audiencë te vozhdi serb. Pas ndejës me Millosheviçin, Bullatoviçi ndërron mendjen.

Në kohën kur republikat tjera kishin shpallur pavarësinë, në Mal të Zi brenda javës organizohet referendumi, në të cilin shumica e popullsisë vendos për mbetjen e Malit të Zi në një shtet me Serbinë.
Më 27 prill 1992 formohet Jugosllavia e katërt, Republika Federale e Jugosllavisë me vetëm dy republika: Serbinë dhe Malin e Zi.

Gjatë vitit 1996 lëvizja për pavarësi merr hov në Malit të Zi. Me zgjedhjen e M. Gjukanoviqit kryetar i Malit të Zi, fillimi i vitit 1997, dalin në pah kundërshtitë e thella të Podogoricës me Beogradin. Mali i Zi fillon të marrë një pas tjetrit ingerencat e Federatës: fut markën gjermane si monedhë në vend, merr në duar doganat, forcon policinë me trupa lojale (mes tyre përplot shqiptarë), fillon të hapë përfaqësitë diplomatike etj.

Më 1999 dhe 2000 përshkallëzohet lëvizja për Pavarësi në Mal të Zi dhe ashpërsohen marrëdhëniet me Beogradin me rrezik të shpërthimit të konflikteve të armatosura. Më 6 korrik 2000, Beogradi bën ndryshime në kushtetutën federale pa pyetur fare Malin e Zi.

Mirëpo me rënien e Millosheviqit, tetor 2000, bashkësia ndërkombëtare e ndërron planin. Ajo fillon trysnitë mbi Malin e Zi, të cilin deri atëherë e kish joshur që të distancohet prej Beogradit, që të vejë në drejtim krejt të kundërt. Në skemat e reja evropiane pas Millosheviçit, Mali i Zi duhet të mbetet në federatën jugosllave dashur-padashur, meqë bashkësia ndërkombëtare është lodhur nga shkurorëzimet grindavece të ballkanasve.

Me këmbënguljen e Bashkimit Evropian, më 14 mars 2002, nënshkruhet Marrëveshja për principet themelore të rregulimit të marrëdhënieve të Serbisë dhe Malit të Zi.

2. Dokumenti themeltar i "shtetit të ri"

Bazat themelore për rregullimit e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Malit të Zi

Dokumenti iu dërgohet në shqyrtim kuvendeve të shteteve anëtarë dhe kuvendit federal. Akti më i lartë juridik i bashkësisë shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi është Karta Kushtetuese, e cila do të aprovohet nga ana e parlamenteve të të dy vendeve.

Pasi të kenë kaluar tre vjet, vendet anëtare kanë të drejtë të fillojnë procedurën për ndryshimin e statusit të tyre shtetëror, gjegjësisht daljen nga bashkësia shtetërore. Në rast se Mali i Zi largohet nga bashkësia shtetërore, dokumentet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me RFJ (Republika Federale e Jugosllavisë), posaçërisht Rezoluta 1244 e KS të OKB-së do t'i atribuohen Serbisë si trashëgimtare. Ligjet për referendumin i aprovojnë vendet anëtare, duke respektuar standardet e ndërkombëtare.

Emri i bashkësisë shtetërore: Serbia e Mali i Zi
Institucionet e Serbisë dhe Malit të Zi: Kuvendi, Kryetari, Këshilli i ministrave dhe Gjykata.

Kuvendi
Kuvendi është njëdhomësh, e në të ekziston diskriminim afirmativ i deputetëve të Malit të Zi.

Kryetar i Serbisë e Malit të Zi
Kryetari, të cilin e zgjedh Kuvendi i Serbisë e Malit të Zi, propozon përbërjen e Këshillit të Ministrave dhe udhëheq me punën e tij.

Këshilli i Ministrave
Ka pesë resore ministrorë: punët e jashtme, mbrojtja, marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, marrëdhëniet e brendshme ekonomike, mbrojtja e të drejtave të njeriut e të pakicave.

Gjykata e Serbisë dhe Malit të Zi
Gjykata ka funksion gjyqësor kushtetues dhe administrativ dhe merret me unjësimin e praktikës gjyqësore.

Ushtria
Me ushtrinë e Serbisë dhe Malit të Zi udhëheq Këshilli suprem i mbrojtjes (KSM) që e përbëjnë tre kryetarë (dy të shteteve anëtarë dhe ai i bashkësisë shtetërore). KSM vendos me konsensus. Rekrutët kryejnë shërbimin ushtarak në territorin e vendeve anëtarë.

Me aprovimin e Kartës Kushtetuese mbahen zgjedhjet për parlamentin e bashkësisë.

Në organet e pushtetit gjyqësor dhe ekzekutiv sigurohet barazia e përfaqësimit të shteteve anëtarë. Parashihet edhe praktika e rrotacionit (në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, ku ministri dhe zëvendësi i tij do të jenë të të dy vendeve anëtarë dhe në mes të mandatit do të ndërrojnë funksionet).
Në përfaqësimin e vendeve anëtarë pranë organizatave ndërkombëtare (OKB, OSBE, BE, Këshilli i Evropës) do të sigurohet pariteti përmes rrotacionit.
Në përfaqësitë diplomatike jashtë do të arrihet marrëveshja e posaçme për proporcionin e përfaqësimit të vendeve anëtarë.

Çështjet ekonomike
Niveli aktual i reformave ekonomike në shtetet anëtarë është baza fillestare për rregullimin e marrëdhënieve të tyre ekonomike.

Harmonizimi i sistemeve ekonomike të shteteve anëtarë me sistemin ekonomik të Bashkimit Evropian do të sigurojë tejkalimin e dallimeve ekzistuese dhe do të aplikohen metodat që shpien më shpejt deri te integrimi në BE.

Zgjidhjet e përkohshme në aplikimin e politikës së tregtisë dhe doganave duhet të respektojnë interesat e vendeve anëtarë. Në rast të mospajtimeve në këto fusha çdonjëri prej vendeve anëtar mund t'i ankohet Bashkimit Evropian dhe ky, në kontekst të procesit të stabilizimit dhe asocimit, do të ndërmarrë masat adekuate.

3. Reagimet

Shtypi independentist në Mal të Zi, nënshkrimin e Marrëveshjes e quajti kapitullim të Gjukanoviqit. Akademiku malazias Serbo Rastoder shprehu thelbin e çështjes: Duhet të jesh i ndershëm dhe të pranosh se shteti në të cilin Mali i Zi do të ishte i barabartë nuk është i pëlqyeshëm për Serbinë (sepse një shtet i tillë paraqet barrë për të) sikundër që edhe një shtet i centralizuar do të ishte ankth i përhershëm për Malin e Zi.

Inteligjencia serbe e mbështeti formimin e shtetit të ri, por këtë e cilësoi edhe si fitore të Malit të Zi. Por pati edhe mendime të kundërta si ajo e Partisë Demokristiane e ministrit serb të drejtësisë, V. Batiq, që po organizon me sukses nënshkrimin e kërkesës për organizimin e referendumit, përmes të cilit elektorati do të përcaktohej se a është apo jo për pavarësinë e Serbisë!

Hulumtimet po tregojnë se 46% e qytetarëve serbë janë për Serbinë si shtet i pavarur!

Më të rreptit ishin unitaristët: M. Bullatoviqi, Shesheli, gruaja e Millosheviqit, Partia Socialiste e Serbisë etj. që marrëveshjen e quajtën krijesë të paqëndrueshme dhe dëmtim të interesave nacionale të serbëve dhe malaziasve.

Ndërkaq ekspertët ndërkombëtarë kishin vërejtje lidhur me procedurën: është shkelur neni 2 i Kushtetutës së Malit të Zi, sipas të cilit statusi shtetëror i Malit të Zi, nuk mund të ndryshohet pa përcaktimin e popullit përmes referendumit (Beri Krajl, ekspert zvicëran për të drejtën kushtetuese krahasuese).

Marrëveshja nënkupton fundin e Jugosllavisë, garanton referendumin dhe i jep mundësi të mëdha Malit të Zi për të fituar pavarësinë. Ndërkaq Serbia nuk ka fituar asgjë, pos një staus quoje të dobët. Në krejt këtë histori fituesi kryesor është BE, konkretisht Solana (Pol Vilijams, ekspert amerikan);

Kjo nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë, sepse është bërë presion i madh, sidomos mbi Gjukanoviqin dhe presionet nuk japin rezultate të mira. Kjo është vetëm një statusquo (Kristof Bender, ekspert për çështje të stabilitetit të Ballkanit).

Është një zgjidhje e imponuar dhe si e tillë nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Malit të Zi. Kanë mbetur shumë detaje që duhet të aprovohen më vonë, që mund të jenë edhe shkas për mosmarrëveshje të pafundme e pakënaqësi të mëdha. Do të ishte mirë që Serbia dhe Mali i Zi të kishin zhvilluar negociatat vetëm. Dokumenti që është nënshkruar në Beograd nuk ka mbështetje demokratike te njerëzit, as në Serbi, as në Mal të Zi, sepse është imponuar nga jashtë (Piter Palmer, analist i Grupit Ndërkombëtar të Krizës).

Jugosllavia edhe jashtë ka pasur fanatikët e saj, që një zot e di se cilat kanë qenë motivet e nostalgjisë së tyre ndaj vendit që më së paku të tillë e donin banorët e tij. Shembulli më i mirë është ai i korresponentit shumëvjeçar të New York Times-it në Beograd, Dejvid Bajnder, i cili qe i vetmi i huaj dhe "vendor" që shkroi një rekuiem për Jugosllavinë duke përfunduar artikullin me një: "Lamtumirë Jugosllavi! Prehu në paqe!"

Por reaksioni më konkret i Marrëveshjes është pehatja e qeverisë së Vujanoviqit, të cilës nuk i dhanë më besimin liberalët e Malit të Zi, që vazhdojnë të mbetën bërthama e independetistëve malazias, dhe natyrisht zhagitja e aprovimit të marrëveshjes në Parlamentin federal, kur koalicioni malazias "Bashkë për Jugosllavinë", kërkoi që Parlamenti të ndërmarrë masa në mënyrë që të mos i lejojë koalicionit rival "Fitorja e Malit të Zi" të shpallë pavarësinë. Kështu që dokumenti i Beogradit realisht në vend të qetësimit të gjendjes, që në fillim po jep rezultate krejt të tjera.
Çështje më vete është vetë përmbajtja e dokumentit që ka shumë paqartësi dhe detaje për t'u harmonizuar më vonë, gjë që e bën atë edhe më të diskutueshëm dhe me një perspektivë krejt të mjegullt.

4. Motivet e ndërhyrjes së Bashkimit Evropian

Rrëzimi i Millosheviqit dhe arrestimi i tij më vonë krijuan një imazh krejt tjetër të Jugosllavisë në Bruksel e që, veç tjerash, lidhet me interesa krejt konkrete të shteteve të fuqishme evropiane.

Serbia ka një pozitë të rëndësishme gjeostrategjike: përmes saj kalojnë rrugët kryesore që lidhin Evropën me Azinë dhe Lindjen e Mesme, përmes saj kalon lumi Danub, që është një arterie fort e rëndësishme sidomos për depërtimin e ekonomisë gjermane në Ballkan dhe në Azinë qendrore.

Serbia ka një potencial të rëndësishëm ekonomik dhe është një vend në tranzicion që ka shumë nevojë për investime të kapitalit të fuqishëm perëndimor (italian, francez, gjerman etj…).

Bashkimi Evropian, por dhe Amerika janë të interesuar që ta qetësojnë gjendjen në Ballkan, të vetëdijshme për kompleksitetin e çështjeve të ndryshme, etnike e territoriale në radhë të parë dhe duan që përmes reformave dhe integrimeve ekonomike të zbutin kundërthëniet në mes vendeve, duke ruajtur konturet e tregut të mëparshëm të përbashkët në ish-Jugosllavi.

Në këtë kuadër Brukseli ka marrë qëndrim që të bëhen përpjekje për t'u ruajtur bashkësia e shkërrmoqur shtetërore e Serbisë dhe Malit të Zi, për të evituar në këtë mënyrë shpërthime të pakontrolluara në rajon: Kriza politike dhe ekonomike në Serbi është larg zgjidhjes; statusi i Kosovës akoma është i padefinuar, kufijtë e Bosnje Hercegovinës mbeten ende te flashkët.

Kur flitet për krizën në Serbi, duhet patur parasysh edhe tronditjet e brendshme të saj, sepse Vojvodina gradualisht do të kthehet në një provincë problematike sa që do ta detyrojë Beogradin ta harrojë jo vetëm Malin e Zi, por edhe Kosovën dhe republikën Serbe në Bosnje. Në radhë pastaj vjen Sanxhaku që do ta forcojë identitetin e tij nacional, ekonomikdhe politik. Veç kësaj ditë e më tepër do të dalë në pah çështja e vllehëve që tash në regjistrimin e fundit veç ka filluar të nxjerrë krye.
Pra separatizmi, kjo fjalë e tmerrshme për veshin serb, do të vazhdojë për një kohë të gjatë t'ia nxijë jetën Beogradit.

Në këtë spektër rrethanash Brukseli përmes Marrëveshjes që u nënshkrua në Beograd kishte synim të blejë kohë dhe pas një periudhe trevjeçare të shohë zhvillimet në rajon dhe në përputhje me këto zhvillime të marrë qëndrime jo vetëm lidhur me bashkësinë shtetërore serbo-malazeze.

5. Unioni i Serbisë e i Malit të Zi dhe shqiptarët

Shqiptarët dhe malaziasit i ndanë dhe i lidh një periudhë mijëvjeçare e historisë; i ndanë e i lidh një kufi detar, ujor e tokësor prej disa qindra kilometrash. Në Mal të Zi jeton një popullsi e konsiderueshme shqiptare që nuk guxon të injorohet… Pra është një spektër faktorësh që shqiptarët do të duhej t'i detyronin t'i shikojnë me shumë vëmendje e gjakftohtësi zhvillimet në Mal të Zi dhe lidhur me të.

I vetmi reagim i shqiptarëve lidhur me dokumentin e Beogradit ka qenë se ky akt do ta pengojë pavarësimin e Kosovës, gjë që nuk qëndron, sepse është pasqyrim i mentalitetit shqiptar, që për problemet vetanake gjithnjë të fajësohen të tjerët.
Të gjithë e dijnë sot se pavarësia e Kosovës lidhet esencialisht me aftësinë dhe vullnetin e shqiptarëve për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe për mes tyre për të qeverisur vendin.

Ky është thelbi i problemit të Kosovës sot. Dhe e ardhmja e saj lidhet edhe me shkallën e vetëdijes së shqiptarëve për këtë fakt.

Përndryshe, marrëdhëniet e Serbisë dhe Malit të Zi pasqyrojnë përfundimin gradual e të logjikshëm të një procesi të gjatë të shpartallimit të një perandorie, që në historinë e saj të përgjakshme 84 vjeçare ka ndërruar disa emra, por asnjëherë natyrën e saj: Ajo ka qenë Serbia e madhe, në të cilën janë diskriminuar në forma dhe përmasa të ndryshme të gjithë ata që nuk kanë qenë dhe nuk janë serbë.
Askush më shumë se shqiptarët nuk e ka provuar këtë.

Kjo përvojë e gjatë dhe e dhimbshme do të duhej të jetë një shtysë për mobilizimin e shqiptarëve të Kosovës, të klasës së tyre politike në radhë të parë, që Kosovën me çdo kusht ta bëjnë shtet. Një shtet demokratik me qytetarë të barabartë në të drejta dhe në detyrime.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË