NUMĖR 63
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Çfarë halu-cinogjenesh
përdorka
gjeneral
Valentaion?!
 
Sfida e madhe
e Qeverisë së Kosovës: për çdo përqind papunësi, humbjet janë dyfishi
 
Konflikti që duhej kryer patjetër
 
Frika e
kolumbianizimit
të Shqipërisë
 
Federata serbo-malazeze:
Shteti që jeton
në dializë
 
Bashkimi
Evropian
dhe Ballkani
 
Varrimi i luftës
së ftohtë
 
Fati tragjik i
gjermanëve të
Vojvodinës
 
Gazetaria në
Unmikistan
 
Kullerat e
Kosovës
 
Pse kapitulloi
Millosheviqi?
ARTIKUJ VITI IV - 1 QERSHOR 2002

Lugina e Preshevës
Regjistrim, zgjedhje lokale, e pastaj?

Malë BERISHA

Pala serbe edhe pse ka prolonguar zgjidhjen e shumë çështjeve në Luginën e Prshevës, kohët e fundit sikur ngutet që shumë gjëra t'i bëjë shkel e shko, në mënyrë që të kyçet sa më mirë në çështjet rreth Kosovës apo thënë më qartë në ndarjen e mundëshme të Kosovës, për të cilën më së tepërmi angazhohet kreatori i "zgjidhjes" së krizës në Luginë të Preshevës.

Pala shqiptare momentalisht është në rrjedha të proçesit të mëtutjeshëm politik, por duket qartë se nuk ekziston ndonji strategji e caktuar për pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilat janë planifikuar të mbahen në fund të qershorit të këtij viti.

Regjistrimi i popullsisë nuk ka përfunduar ende

Para fillimit të regjistrimit të popullsisë në Serbi, që (sinjifikativisht) nisi më 1prill, ndër shqiptarët e këtyre trevave ekzistonte dilema a duhet pranuar ky proces apo jo. Pala shqiptare edhe nuk ka pranuar këtë çështje dhe mu për këtë regjistrimi i popullsisë këtu ka filluar më 5 prill dhe do të zgjas deri më 25 prill.

Kjo marrëveshje është arritur më 2 prill në Beograd në bisedimet mes palës shqiptare dhe asaj serbe me ndërmjetësim të OSBE-së. Sipas palës shqiptare i tërë procesi është stopuar pasi ministri serb për Kosovën e minoritetet, z. Nebojsha Çoviç, në fillim nuk ka dashur ta pranoj regjistrimin e shqiptarëve të zhvendosur prej Luginës së Preshevës, të cilët edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të mbesin në Kosovë.

Pala serbe ka pranuar regjistrimin e shqiptarëve të zhvendosur duke e shtyrë afatin e regjistrimit deri më 25 prill.

Qysh më 3 prill, serbët lokal të Bujanocit, kanë protestuar pse palës shqiptare i është bërë edhe ky lëshim, pasi shumica e serbëve lokal në Bujanoc dhe në qendra të tjera, mendojnë se nga koha e krizës shqiptarëve të këtyre trevave iu janë bërë shumë lëshime.

Në fakt serbët lokalë dhe pse përbëjnë 30% të popullsisë në Bujanoc mbajnë pushtetin lokal në duart e tyre.

Liderët shqiptarë këtu mendojnë ndryshe në lidhje me gjendjen në Bujanoc. Naser Haziri kryetar i Partisë së Bashkimit Demokratik Shqiptar mendon "se gjendja e serbëve lokal në këtë komunë është identike me atë të serbëve në Kosovë gjatë kohës së regjimit të kriminelit Millosheviq".

Sipas shumë parshikimeve është e mundur që në Bujanoc edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale pushteti lokal të mos iu dorëzohet shqiptarëve sepse serbët lokal nuk do ta lejojnë këtë.

Lideri serb Vuk Drashkoviq këto ditë ka qëndruar në Bujanoc dhe ka porositur serbët lokal se "të gjitha partitë serbe duhet të dalin me një listë të përbashkët në zgjedhjet lokale në këtë qytet"

Të gjitha këto e komplikojnë situatën në këtë qytet, ku ndonëse 60% e popullsisë shqiptare, këta të fundit as që kanë qenë të përfillur rreth pjesëmarrjes në pushtetin lokal.

Kryetari i KK të Bujnaocit, në mënyrë ironike, tani deklaron se "ne kemi qëndruar në pushtetin lokal falë koalicinoit të partisë sime, JUL-it, me partitë shqiptare këtu".

Regjistrimi i popullsisë në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njëherit është i rëndësishëm për shkak se në bazë të rezultateve të kwtij regjistrimi do të konstituohet pushtetit lokal në këto qendra.

Llogaritet se në tri komunat shqiptare, me të drejtë vote, janë rreth 70 000 banorë.
Megjithatë e gjithë përplasja shqiptaro-serbe në rrafshin politik do të bëhet rreth komunës së Bujanocit, ku shqiptarëve iu takon pushteti lokal, por serbët nuk dëshirojnë t'i humbin privilegjet.

Një gjë duket qartë si tek shqiptarët dhe serbët se komuna e Medvegjës nuk paraqet kurrfarë interesimi për të dyja palët.

Policia multietnike projekti i vetëm i përbashkët

Projekti i vetëm i realizuar deri tani ku janë të kyçur shqiptarët, serbët dhe ndërkombëtarët është projekti i fomimit të policisë multietnike. Ky projekt është financuar nga OSBE-ja.

Është paraparë që në tri komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në policinë multietnike të pranohen 400 policë të rinj dhe deri më tani ushtrimet dhe përgatitjet i kanë mbaruar tre grupe me nga njëqind kandidatë. Ka muaj që policia multietnike ka filluar të patrullojë nëpër vendbanimet shqiptare këtu.

Projekti i policisë multietnike parasheh që kjo polici të formohet në bazë të strukturës së popullsisë nëpër këto qendra.

Edhe pse kishte marëveshje të nënshkruar nga kryetari i KK të Preshevës Riza Halimi dhe Nebojsha Çoviç për procesin e formimit të kësaj policie pala shqiptare gjatë zgjedhjes së grupit të parë të policëve të rinj nuk është përfillur.
Naser Haziri, kryetar i komisionit për pranimin e kandidatëve të rinj nga pala shqiptare, me shifra ilustron ecurinë e deritanishme të procesit.
Në Preshevë dhe Bujanoc kandidatë serb, qysh tani, ka më tepër se sa është paraparë me marëveshje. Në Medvegjë deri tani kandidatë shqiptar janë gjithesjt katër, ndërsa është paraparë që në tre grupet e para të jenë gjashtëmbëdhjetë kandidatë.

Naser Haziri lidhur me pranimin e ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së në këtë polici thotë se "numrin e saktë nuk e dimë, mirëpo megjithatë në këtë polici ka ish - luftëtarë". Haziri shton "kemi dyshim se komisioni mjekësor shumicën prej kandidatëve shqiptar i ka eliminuar për shkak të së kaluarës së tyre".

Edhe pse në terren vepron polcia multienike, ende nuk mund të flitet se kjo polici ka edhe peshën e mirfilltë, nga se ende duhen zbatuar urdhërat "nga lart"!

Sidoqoftë rezultatet e regjistrimit të popullsisë dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale në Luginën e Preshevës do të jenë ngjarjet përcaktuese të rrjedhave të mëtutjeshme të zgjidhjes së shumë problemeve.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË